BDI premtoi, por kurrë nuk e jetësoi Abetaren e unifikuar

Unifikimi i teksteve shkollore e posaçërisht Abetares, për nxënësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut do të mbahet mend vetëm si një premtim i BDI-së. Pavarësisht se dikasterin e Arsimit vite me radhë e kanë drejtuar ministrat nga BDI-ja, Abetarja e njësuar kurë nuk u bë realitet. Përderisa në Maqedoninë e Veriut nuk lejohet përdorimi i saj tashmë përdoret në Kosovë, por edhe në Luginën e Preshevës, e cila gjendet në kuadër të Serbisë.

Profesori dhe veterani i Arsimit, Xheladin Murati thotë se bëhet fjalë për mungesë të vullnetit politik për jetësimin e projektit të tillë.

Në këtë shtet udhëheqin edhe shqiptarët por nuk kane forcë për të realizuar një unifikim të përbashkët. Në fakt, nuk ka forcë në Maqedoni, as gatishmëri politike që të përdoret një Abetare e përbashkët ose siç quhet Abetarja kombëtare, e cila, ai që e ka parë është shumë e bukur, shumë estetike, shumë domethënëse, shumë përmbajtjesorë dhe e cila është I vetmi tekst që bën unifikimin e hapësirës shqiptare dhe të nxënësve atje ku mësojnë. Do të ishte një tekst shumë i mirë por në Maqedoni nuk ka gatishmëri dhe nuk lejohet të përdoret pavarësisht se ministri është shqiptar – deklaroi Xheladin Murati, profesor.

Përveç unifikimit të Abetares, BDI-ja tashmë disa herë është zotuar për korrigjimin e gabimeve gjuhësore dhe përmbajtjesore në librat shkollorë. Një premtim i tillë është parashikuar edhe në programin parazgjedhor 2020-24. Profesori Murati vlerëson se tashmë duhej të ishte kërkuar përgjegjësi ndaj gjithë atyre që toleruan gabimet e tilla.

Kjo politikë, ky proces do të vazhdojë edhe më tutje për arsye se mungon përgjegjësia, fillimisht kombëtare, për të realizuar një tekst domethënës prej ku nxënësi mëson I cili është burim I dijës, I cili është burim prej ku nxënësi mëson të drejtën si të shkruhet, si të mësohet dhe si të përdoren terme -u shpreh Xheladin Murati, profesor.

Librat që tashmë sa vite kanë gabime të shumta drejtshkrimore dhe përmbajtjesore, madje në disa raste edhe skandaloze janë në lëndët: gjeografi, shoqëri, histori, shkenca të natyrës dhe në lëndën e artit muzikor.