Opozitarja BDI nuk do ta mbështesë ligjin për arsimin e lartë, për arsye se siç thonë, ky ligj e cenon autonominë universitare duke i mundësuar ministrit të arsimit por edhe vetë Qeverisë ndërhyrje brutale në vendimmarrjen akademike, në menaxhimin me financat e vetë universiteteve si dhe në udhëheqjen e institucioneve të arsimit të lartë.
“Përmes këtij ligji do të dobësohet demokracia e brendshme e universiteteve, ndërsa vendimmarrja do të centralizohet në duar të disa individëve dhe grupeve të interesit. Liria akademike duhet të jetë e paprekshme ndërsa institucionet e arsimit të lartë të jenë të pavarura gjatë realizimit të veprimtarisë së tyre. Për arsyet e lartpërmendura, ky propozim ligj është i papranueshëm për ne dhe në asnjë mënyrë nuk do ta ketë mbështetjen tonë”, thonë nga BDI.
Nuk dihet nëse edhe VLEN do ta votojë propozim-ligjin për Arsimin e Lartë, pasi nga ky koalicion na thanë se po e presin versionin final për të parë në çfarë mase ato janë inkorporuar vërejtjet e tyre.
“Gjatë këtij procesi kemi paraqitur vërejtje dhe sugjerime, ndërsa presim versionin final të propozim-ligjit për të parë në çfarë mase ato janë inkorporuar. Konsiderojmë se një reformë e tillë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe konsensus të gjerë, përfshirë edhe grupe akademike, në mënyrë që të sigurohet cilësi dhe qëndrueshmëri afatgjate”, thonë nga VLEN.
Ndryshe, Ministria e Arsimit ka ri publikuar sërish projektligjin për arsimin e lartë, nga ku janë marrë parasysh ndryshime si në aspektin teknik ashtu edhe në atë thelbësor. Megjithatë ligji pritet të dërgohet në Qeveri dhe pasi të miratohet të dërgohet në Kuvend.



