BDI: Mickoski premtoi “t’u tregojë vendin shqiptarëve” me regjistrim të popullsisë, VLEN po e ndihmon

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë reaguar në lidhje me nismën për “regjistrim elektronik” dhe “korrigjim të rezultateve” të regjistrimit të vitit 2021, transmeton TV21. Në komunikatë për mediat, nga BDI thonë se këto përpjekje nuk do të kalojnë. Tutje theksojnë se “Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një “inxhinieringu digjital” nga ana e pushtetit”.

Kumtesa e plotë e BDI-së.

“Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme.

Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet.

Kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”.

Prandaj nuk na befasojnë as hapat e këtij segmenti të qeverisë, e as institucionet që ata kanë arritur t’i kapin, siç janë Gjykata Kushtetuese, Prokuroria Publike etj.

Secila prej tyre po punon aktivisht për zbatimin e programit elektoral të VMRO-së dhe premtimeve të Mickoskit: përmes shfuqizimit të Balancuesit, rrënimit të mekanizmave kundër majorizimit, heqjes së gjuhës shqipe nga institucionet, si dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat e larta në administratë, në shërbimet e sigurisë, në mbrojtje, etj.

Por ajo që është vërtet tronditëse është se mbetjet e VLEN-it brenda kësaj qeverie, përmes avokatisë shokuese, po e legjitimojnë dhe po e verifikojnë këtë politikë të pushtetit.

Të shantazhuar dhe të kapur, ata krijojnë përshtypjen e rreme se qeveria është multietnike dhe se brenda saj dikush po i mbron interesat e shqiptarëve.

Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një “inxhinieringu digjital” nga ana e pushtetit, pa marrë parasysh që në këtë operacion po marrin pjesë aktive edhe shqiptarët e VLEN-it.

Keto perpjekje nuk do te kalojne. Për kete i sigurojme edhe shqiptaret por edhe ata qe jane duke i bere keto perpjekje te rrezikshme per ardhmerine e shtetit”.