BDI merr përforcim Vesel Memedin në “luftën” kundër koalicionit ASH-AAA

Në kohën kur Artan Grubi është në pushim, BDI-së i ka ardhur një përforcim i papritur nga Vesel Memedi, në “luftën” e filluar me koalicionin Aleanca-Alterantiva, pas Marshit të suksesshëm që u organizua të hënën nga ky koalicion në Shkup.

Sipas analistëve shqiptarë në Shkup, nuk kanë pasur shumë jehonë reagimet e zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani dhe ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, prandaj “kapakun” ia ka vendosur reagimi i kryetarit të RDK-së, Vesel Memedi, i cili vlerëson se meqë VMRO-DPMNE nuk i konteston rezultatet, nuk duhet t’i kontestojë askush.

“Kur partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE pranon rezultatin zgjedhor dhe nuk bën asnjë protestë për parregullësi,
Kur të gjitha proceset janë rrumbullaksuar dhe nuk lejohet që proceset të kthehen mbrapsht, Kur shqiptarët kanë vendosur shumë më herrët se kush do ti përfaqësoj, dhe se nuk tolerohen dy përfaqësues, Kur koha e nxitjes së shqiptarëve nga qarqe të ndryshme destruktive ka përfunduar.
Kur një reagim të tillë nuk e kërkon asnjë organizatë institucionale dhe partiake, ndërsa ju sërish dilni në protesta kundër shqiptarëve, Atëherë nuk mund të konkludohet asgjë tjetër përpos se këta njerëz janë në shërbim të individëve djall!”, thotë në reagimin e tij Memedi.