Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot ka ngritur kallëzim penal ndaj ministrit të Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut për, siç thuhet, shkelje serioze kushtetuese dhe ligjore. Partia akuzon ministrinë për moszbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për mosorganizimin e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas BDI-së, ky veprim cenon barazinë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë dhe përbën diskriminim mbi bazë gjuhe. Nga Prokuroria Themelore Publike kërkohet nisja e menjëhershme e hetimeve dhe procedimi i çështjes në gjykatë, transmeton Portalb.mk.
“Sot, para këtij institucioni të drejtësisë, paraqesim kallëzim penal ndaj Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut për shkelje serioze të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Së pari, për pengim të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës së Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nenet 1, 2, 3 dhe 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilat e njohin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes dhe detyrojnë institucionet shtetërore të sigurojnë përdorimin e gjuhës zyrtare të palëve në procedurat dhe dokumentet zyrtare. Së dyti, për mos-zbatim të detyrave zyrtare në dëm të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve shqiptarë, në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës (barazia e qytetarëve para ligjit) dhe nenin 353 të Kodit Penal (keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar). Refuzimi për të organizuar dhe mbajtur Provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe cenon drejtpërdrejt të drejtën e përdorimit të gjuhës zyrtare në procedurat para institucioneve”, thonë nga BDI.
Si arsye të tretë për këtë hap, BDI përmend cenimin e barazisë së qytetarëve sipas nenit 137 të Kodit Penal e që janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, i cili ndalon çdo formë diskriminimi mbi bazë gjuhe dhe përkatësie etnike.
“Mos-zbatimi i ligjit dhe mohimi i kësaj të drejte dërgon mesazhe diskriminuese dhe rrezikon thellimin e tensioneve në një shoqëri multietnike. Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore, përfshirë institucionet e drejtësisë, janë të detyruara të sigurojnë që proceset, dokumentet dhe komunikimi zyrtar të zhvillohen edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve. Duke mos ofruar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe duke refuzuar zbatimin e kësaj të drejte ligjore, Ministria e Drejtësisë ka shkelur detyrat e saj zyrtare, ka cenuar parimin kushtetues të barazisë dhe ka vepruar në kundërshtim me rendin juridik të shtetit. Për këto arsye, kërkojmë nga Prokuroria Themelore Publike të ndërmarrë menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, çështja të procedohet para gjykatës kompetente dhe zbatimi i ligjit të garantohet pa asnjë formë diskriminimi”, thonë nga BDI.
BDI-ja, që sot shpreh mbështetje të plotë për studentët shqiptarë që kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, gjatë periudhës së saj në qeverisje nuk ka bërë asnjë hap konkret për ta zgjidhur këtë problem. Portalb.mk ka pritur gjatë përgjigje nga BDI-ja se pse nuk u gjet zgjidhje gjatë 20 viteve të saj në pushtet, por deri tani, heshtje, përveç kumtesave për mediat. Kjo situatë tregon një kontrast të madh të kësaj partie. Ajo sot pozicionohet si avokate e barazisë gjuhësore, ndërkohë që kur kishte mundësinë reale ligjore dhe institucionale për ta adresuar këtë çështje, nuk veproi.
Ndryshe, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.





