Dega e BDI-së në Kumanovë ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në qytet, duke shprehur shqetësim për atë që e cilëson si klimë pasigurie dhe rrezik për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike, vetëm pak ditë para festës së 28 Nëntorit.
Në reagimin e lexuar, në konferencë për media, nga zëdhënësi i BDI-së, Blerim Hyseni, kjo parti ngre shqetësimin për dënimin e një të riu shqiptar, i cili, sipas saj, vitin e kaluar kishte festuar Ditën e Flamurit Kombëtar, si dhe për shfaqjen mbrëmë të personave të maskuar me shkopinj nëpër rrugët e Kumanovës.
“A është ky standardi i drejtësisë në Kumanovë? Një i ri dënohet pse feston flamurin e tij kombëtar. A nuk është simptomatike që ky vendim merret vetëm disa ditë para 28 Nëntorit?”, deklaroi Hyseni.
Nga BDI-ja kërkojnë zbardhjen urgjente të rastit, transparencë institucionale dhe veprim të organeve kompetente pa standarde të dyfishta.
Sipas kësaj partie, zhvillimet e fundit krijojnë përshtypjen e rrezikshme se dikush dëshiron t’u përcjellë shqiptarëve mesazhin që këtë vit të mos e festojnë 28 Nëntorin.
“Askush nuk mund ta frikësojë një popull që feston historinë, identitetin dhe flamurin e tij kombëtar. 28 Nëntori nuk është provokim. Është festë kombëtare, është histori, është krenari dhe është e drejtë e çdo shqiptari ta festojë lirshëm dhe me dinjitet”, theksoi Hyseni.
Dega e BDI-së në Kumanovë kërkon nga institucionet të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve, duke nënvizuar se bashkëjetesa nuk ndërtohet me frikë, provokime apo drejtësi selektive.
“28 Nëntorin do të festohet me krenari, pa frikë dhe me dinjitet, ashtu siç ka festuar gjithmonë Kumanova”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Kumanovë.





