BDI kthehet në prehrin e LSDM-së, dështon marrëveshja me VMRO-DPMNE-në

Sekretari Gjeneral i LSDM-së, Lupço Nikollovski dhe Sekretari Organizativ i BDI-së, Artan Grubi janë fotografuar duke biseduar në një restorant në Shkup.

Grubi për TV21 konfirmon se takimi ka ndodhur sot, ndërsa shton se takimet dhe komunikimet mes LSDM-së e BDI-së janë të përditshme.

Nga LSDM thonë se dy zyrtarët kanë folur “për shumicën parlamentare dhe për koalicion me mandat stabil, të plotë katërvjeçar”.

“Biseduam se programi eventual i përbashkët qeveritar patjetër duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe programet zgjedhore të LSDM-së dhe BDI-së”, thonë nga LSDM.

Shtojnë se dakordohen për staf cilësor, të përgjegjshëm dhe transparent për të gjitha resorët nga të dy palët që të përmbushë plotësisht angazhimet e programit dhe parimet e marrëveshjes përfundimtare të koalicionit.

“Konfirmuam se partitë pajtohen për pastrim të gjyqësorit dhe kontroll të burimit të parave dhe kapitalit të çdo zyrtari, në rrugë të sistemit që bashkërisht do të dakordësohet” thotë nga Lidhja socialdemokrate.

Rikujtojmë se krerët e dy partive fituese në zgjedhje, Zoran Zaev i LSDM-së dhe Ali Ahmeti i BDI-së, dje edhe zyrtarisht kanë nisur bisedimet për formim të shumicës parlamentare.

Duke folur për këtë takim, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani dje i tha TV21 se po bëhen përpjekje “për të rikthyer mirëbesimin e humbur gjatë fushatës zgjedhore”.

LSDM ka 46 deputetë, BDI 15 dhe me 1 të PDSH-së mund të formojnë shumicën e nevojshme për qeverinë e ardhshme./TV21