BDI kërkon sqarime urgjente për ritualet fetare mbi automjete zyrtare policore

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reguar lidhur me spërkatjen e veturave të policisë nga një klerik ortodoks. Nga atje thonë se kjo është shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular

Reagimi i plotë:

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe reagon fuqishëm ndaj fotografive të publikuara nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shihet kryerja e një riti fetar të një konfesioni mbi automjete zyrtare policore, thuhet në kumtesën e BDI-së, tl cilën MIA e transmeton në mënyrë integrale.

Kjo nuk është “traditë”. Kjo është shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular.

Riti nuk është kryer në hapësirë private apo objekt fetar, por në oborrin e policisë, mbi mjete zyrtare të shtetit, brenda një institucioni të sigurisë publike. Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm në një shtet që me Kushtetutë është sekular dhe me realitet multietnik e multikonfesional.

Policia e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve njësoj, pa dallim etnie dhe besimi. Ajo nuk i përket asnjë feje dhe nuk guxon të krijojë perceptimin se ekziston fe dominante apo “fe zyrtare” brenda institucioneve të shtetit.

Kur hapësirat dhe mjetet shtetërore përdoren për rituale të vetëm një konfesioni, mesazhi për të tjerët është përjashtues dhe i rrezikshëm: se institucionet publike identifikohen me një religjion, duke nënvlerësuar dhe përjashtuar të tjerët. Kjo nuk është simbolikë e pafajshme, kjo është institucionalizim i fesë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës.

Është veçanërisht ofenduese që këto automjete janë blerë me paratë e të gjithë taksapaguesve dhe do të përdoren nga pjesëtarë të policisë të besimeve të ndryshme. Askush nuk ka të drejtë t’i “shënojë” institucionet publike me simbolikë të një besimi të vetëm.

Shteti ruhet nga ligji dhe Kushtetuta, jo nga uji i bekuar i priftit.

Pikërisht për këtë arsye, shteti sekular nuk funksionon me “tradita”, por me barazi dhe neutralitet institucional.

BDI kërkon:
1. Sqarim të menjëhershëm publik se kush e ka autorizuar këtë veprim, mbi çfarë baze ligjore dhe me çfarë qëllimi;
2. Përgjegjësi institucionale për çdo zyrtar që ka lejuar ose nuk ka parandaluar përdorimin e hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale fetare.

Një mesazh i qartë edhe për VLEN/VREDI: në vend të zhurmës me statuse në rrjete sociale dhe deklarata për media, le ta dëshmojnë kapacitetin aty ku duhet, në institucione, me veprime konkrete dhe parandalim të praktikave diskriminuese. Kur barazia etnike dhe konfesionale shkelet në institucionet shtetërore dhe reagimi mbetet vetëm virtual, kjo është dëshmi e moskapacitetit real dhe e pranimit të heshtur të kësaj gjendjeje.

BDI respekton lirinë e besimit dhe shprehjes fetare të çdo individi, por liria e besimit nuk nënkupton uzurpim të institucioneve shtetërore.

Policia duhet të jetë e të gjithëve,jo e një etnie, jo e një feje, duke shkelur Kushtetutën.

BDI do ta ndjekë këtë rast deri në fund dhe do të kërkojë transparencë të plotë dhe masa konkrete, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.