BDI kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit: “Nuk e bëre kryeministrin shqiptar, tërhiqu”

Kërkesa e BDI-së për dorëheqje të rivalëve politikë për shkak të humbjes së zgjedhjeve, në fakt është kërkesë për dorëheqje të Ali Ahmetit i cili po dështon me premtimin kryesor parazgjedhor-kryeministrin shqiptar. Shpresoj se Ahmeti do ta kuptojë kush po ia përgatit këtë kurth brenda partisë së tij

Shkruan: Nuhi Bexheti

E lexova me vëmendje kumtesën e Bashkimit Demokratik për Integrim ku kërkojnë nga rivalët politikë shqiptarë të japin dorëheqje me pretekst se i kanë humbur zgjedhjet. Është e drejtë e tyre si parti që të kërkojnë dorëheqje në partitë tjera, por kjo kërkesë mua më tingëlloi si diçka tjetër.

Kjo kërkesë në fakt nuk është së për dorëheqje të rivalëve politikë, por është kërkesë për dorëheqje të Ali Ahmetit, i cili po dështon me premtimin kryesor parazgjedhor-kryeministrin shqiptar, gjë që veçmë mund të parandjehet në kolumnat 50 euroshe të analistëve nga Shqipëria. Nëse rezultati i partive tjera, në një proces të dyshimtë ku opozita shqiptare nuk kishte komisionerë, ku ra sistemi elektronik zgjedhor, konsiderohet dështim për të cilin duhet dhënë dorëheqje, atëherë për një dështim siç ishte kryeministri shqiptar, parimisht duhet dhënë dhjetë dorëheqje.
“Nuk e bëre kryeministrin shqiptar, tërhiqu!”, mendoj se është kërkesa e BDI-së, që po i adresohet Ali Ahmetit në mënyrë indirekte.

BDI nuk kishte asnjë kërkesë tjetër në fushatë, përveç kryeministrit shqiptar. BDI nuk kërkonte vota për vete, por kërkonte për kryeministrin shqiptar. Prandaj, me të drejtë ndoshta e kanë qarqet brenda kësaj partie që po kërkojnë tërthorazi dorëheqje të Ali Ahmetit, duke ia dërguar kërkesën përmes “dështimit” të Zijadin Selës dhe Afrim Gashit.

Shpresoj se Ahmeti do ta kuptojë kush po ia përgatit këtë kurth brenda partisë së tij