BDI, kërkesë urgjente për dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate kërkon dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të ndërhyrjes së paprecedent të policisë gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar. Ndërhyrja pengoi një manifestim paqësor dhe shkaktoi tensione ndëretnike.

Institucionet e rendit janë akuzuar për qasje selektive dhe diskriminuese, duke dëmtuar besimin e qytetarëve dhe harmoninë shoqërore. BDI kërkon dorëheqjen e ministrit për mungesë përgjegjshmërie dhe paaftësi në trajtimin e situatave ndëretnike.

“Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon me urgjencë dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të ndërhyrjes së paprecedent dhe të pajustifikuar të policisë gjatë festimeve të mbrëmshme të Ditës së Flamurit Shqiptar.

Kjo ndërhyrje jo vetëm që pengoi një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve, por gjithashtu shkaktoi tensione dhe incidente të panevojshme që kanë dëmtuar harmoninë ndëretnike në vend.

Për më tepër, sot jemi dëshmitarë të një qasjeje selektive dhe të njëanshme nga ana e institucioneve të rendit. Ndërkohë që qytetarët shqiptarë që dogjën flamurin shtetëror janë ndaluar dhe ndëshkuar, ata që dogjën flamurin shqiptar mbeten të pandëshkuar.

Kjo qasje diskriminuese dhe e padrejtë është e papranueshme dhe minon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, duke thelluar ndarjet dhe tensionet në shoqëri.

Ministri i Punëve të Brendshme ka dështuar të garantojë qasje të drejtë dhe profesionale ndaj incidenteve, duke treguar paaftësi dhe mungesë përgjegjshmërie për të trajtuar situatat ndëretnike me kujdesin e duhur. Për këtë arsye, kërkojmë menjëherë dorëheqjen e tij.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve, si dhe ndaj ruajtjes së bashkëjetesës dhe stabilitetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Nuk do të tolerojmë që institucionet e shtetit të përdoren për politika diskriminuese që cënojnë të drejtat e qytetarëve dhe bashkëjetesën ndëretnike”, thuhet në reagimin e BDI-së.