BDI duhet të marrë shembull nga Presheva, bashkimi bëhet kur përpilohen listat, e jo kur e parandien humbjen!

Fejzi HAJDARI

Ende janë të freskëta dhe na kumbojnë në veshë, mesazhet përçarëse të Ali Ahmetit dhe përfaqësuesve të tij të stilit “bëhuni të gjithë bashkë kundër BDI-së” dhe “partitë e vogla të bashkohen kundër BDI-së”. Me një mendjemadhësi karakteristike, asnjëherë nuk thanë të bëhemi bashkë të gjithë shqiptarët, por bëhuni ju bashkë, se demek ne jemi të fortë.
Gjithçka ndryshoi pas anketës së IRI-t, që tregonte se Ali Ahmeti është duke ngecur pas Zijadin Selës.
Në atë moment BDI-ja nga një parti mendjemadhe, bëri “salto” për 360 shkallë, duke dalur me propozime gjoja unifikuese kombëtare. Mirëpo, ishte vonë. Listat e kandidatëve ishin përpiluar, kurse për dallim prej disa partive tjera shqiptare që bënë koalicione, BDI doli e vetme. BDI pa problem bashkëpunon me partitë maqedonase në qeveri, madje edhe kur vriten shqiptarët, e kur dënohen me dënime të përjetshme, por e ka shumë vështirë të bashkëpunojë me parti shqiptare. Pastaj kjo parti rrallë herë del me propozime që janë në favor të shqiptarëve, pa u siguruar paraprakisht se ato nuk realizohen. E ngjashme është edhe ideja për kryeministër shqiptar.
Me këtë ide Ali Ahmeti dhe BDI, dolën pasi kundërshtuan propozimin për një Njësi zgjedhore me lista të hapura, propozim ky i cili do të siguronte përfaqësim maksimal të shqiptarëve në Parlament, jo vetëm numerikisht por edhe në aspektin cilësor. Se bëhet fjalë për ide jo të sinqertë, flet fakti se kur zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, BDI as nuk e përmendi këtë propozim, por vetëm pasi e vërejti se nuk po i shitet “përralla” për lista të reformuara të kandidatëve.
Unë kam bindjen se BDI asnjëherë nuk do të dilte me këtë propozim, sikur të mos ishin anketat që tregonin dobësimin e saj të skajshëm.
Po të ishin treguar të sinqertë dhe të dilnin me këtë propozim sikur shqiptarët e Luginës së Preshevës që përpiluan lista të përbashkëta, do të kishin sukses, mirëpo, tani mbetet të marrin mësim nga shqiptarët e Luginës dhe pas katër viteve të propozojnë bashkëpunim të sinqertë.
Brenda katër viteve në opozitë do të kenë më tepër kohë të mendojnë për gabimet që i kanë bërë dhe si mund t’i përmirësojnë ato.