BDI dënon gjuhën e deputetes Saranda Imeri Stafai ndaj Bexhetit, kërkon dorëheqjen e Afrim Gashit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas zhvillimeve në seancën e sotme plenare, duke dënuar gjuhën që, sipas tyre, është përdorur nga deputetja Saranda Imeri Stafai ndaj deputetit Blerim Bexheti, transmeton Zyrtare.

Në reagimin zyrtar, BDI vlerëson se Bexheti është përballur me “gjuhë fyese dhe insinuata të papranueshme”, duke e cilësuar këtë si një nga rëniet më të ulëta të standardit të debatit parlamentar në Kuvend.

Sipas partisë, përdorimi i një gjuhe të tillë jo vetëm që nuk përfaqëson qytetarët, por dëmton drejtpërdrejt institucionin. Ata theksojnë se ky nivel sjelljeje nuk përfaqëson as gratë në politikë dhe as standardin që ato kanë ndërtuar ndër vite me punë dhe integritet.
BDI e konsideron shqetësues edhe faktin që, sipas tyre, nuk ka pasur ndërhyrje për të ndalur situatën. Në reagim theksohet se Kryetari i Kuvendit ka pasur detyrimin të reagojë menjëherë për të mbrojtur dinjitetin e institucionit, por kjo nuk ka ndodhur.

“Duke lejuar që seanca të degradojë në këtë nivel, Kryetari i Kuvendit ka dështuar në detyrën e tij themelore dhe ka turpëruar institucionin që përfaqëson”, thuhet në reagim.

BDI e cilëson situatën si “dështim institucional” dhe kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Kryetarit të Kuvendit, duke paralajmëruar se tolerimi i këtij standardi sot, mund të kthehet në normë nesër.
Në fund, partia thekson se nuk do ta pranojë një situatë të tillë në të ardhmen.