BDI braktisi kryeministrin shqiptar, por jo edhe korridoret e LSDM dhe VMRO

Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes një komunikate për media kanë hedhur akuza ndaj opozitës, gjegjësisht ndaj Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, duke thënë se të njejtat e braktisën tryezën e përbashkët e cila ishte në interes të shqiptarëve, e nuk i braktisin korridoret e partive maqedonase, LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, informon Zhurnal.
Nga BDI akuzojnë se opozita çdo ditë i ndryshon qëndrimet dhe vendosë kushte vetëm për shqiptarët por jo edhe për maqedonasit.
“Оpozita jodinjitoze, tinzare dhe destruktive e cila çdo ditë i ndryshon qëndrimet dhe vendos kushte vetëm për shqiptarët, vazhdon të qëndrojë në sportelet pritëse të korridoreve të LSDM dhe VMRO me të vetmin qëllim për të rrënuar të arriturat kombëtare dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë së tyre për humbjen e thellë.
Shqiptarët nuk meritojnë opozitë pa kapacitete demokratike dhe pa moral politik për të bartur përgjegjësi para votuesve dhe para organeve partiake.
Humbët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, më pastaj humbët në zgjedhjet lokale të vitit 2017, humbët në referendum sepse ishit shqiptarët e vetëm që bojkotuan referendumin për NATO dhe BE, humbët edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, por edhe në zgjedhjet lokale në Dibër në 2019, për të humbur përfundimisht në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, ndërsa keni humbur edhe kur ishit pjesë e partive tjera që nga viti 2002″, shprehen nga BDI.
Nga opozita e vlerëojnë qesharak këtë reagim të BDI-së, duke theksuar se është BDI ajo që braktisi kryeministrin e premtuar shqiptar, e tani bredh korridoreve të LSDM dhe VMRO.