BDI bllokon ndryshimet e Kodit zgjedhor nga frika se do të eliminohen bandat kriminale!

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Nga frika e eliminimit të bandave kriminale nga skena politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partia e shqiptarëve në Maqedoni, BDI tenton t’i bllokojë në Parlament ndryshimet në Kodin zgjedhor, edhe atë me 5000 amendamente, përkundër partisë opozitare të bllokut maqedonas, OBRM-PDUKM, e cila për të njëjtat qëllime ka dorëzuar afër 500 amendamente, dhjetëfish më pak.

Ajo që habit më tepër, jo vetëm opinionin vendës, por edhe partnerët e koalicionit qeveritar aktual është animi i “befasishëm” i kësaj partie nga opozita maqedonase, OBRM-PDUKM, me të cilën ka qeverisur kjo parti e shqiptarëve afër 11 vjet të plota në pushtetin e mëparshëm, i cili është akuzuar edhe nga faktori ndërkombëtar si qeverisja më e keqe deri më sot në këtë shtet, në tri dekadat e fundit, nga viti 1990 e deri më sot.

Një fakt tjetër që duhet jo vetëm t’i habitë shqiptarët, por t’i tmerrojë, është se drejtuesit e kësaj partie gjithë këtë lojë mundohen ta shesin si interes kombëtar i shqiptarëve në këtë shtet!

Cili është interesi kombëtar i shqiptarëve me mosndryshimin e Kodit zgjedhor aktual, përderisa shqiptarët në Parlamentin e këtij shteti, përmes këtij modeli zgjedhor aktualisht përfaqësohen vetëm 16,6%, përkundër përfshirjes së shqiptarëve në këtë shtet me mbi 40% në numrin e përgjithshëm të banorëve!

Pse nuk përgatiti kaq amendamente kjo parti për kaq vite sa ka qenë në pushteti, me asnjë rast për mbrojtjen e interesit të popullit shqiptar, as me rastin e ndryshimeve kushtetuese, me të cilat shqiptarët në këtë shtet trajtohen si pakicë kombëtare, ndërsa gjuha shqipe si gjuhë që e flasin 20% e banorëve?!
Çfarë kanë të përbashkët interesat e huaja në këtë shtet dhe interesat e VMRO-DPMNE-së me interesat e popullit shqiptar, që nuk po i kuptojnë shumica e qytetarëve, por i kuptojnë vetëm drejtuesit e BDI-së?!

Lavdi marrisë!

(13.XII.2019)