Pjesëtarët e policisë pas urdhrit të marrë gjyqësor, dje kanë kryer bastisje në tre kompani, gjegjësisht persona juridikë pasi një televizion grek publikoi lajmin se në një kazino në Dojran jepen covid-certifikata të rreme. Siç thonë nga MPB-ja, është konfiskuar dokumentacion zyrtar mjekësor i cili ka të bëjë me testimet e kryera për prezencë të Covid, të kryera kryesisht personave nga jashtë.
Njëkohësisht është marrë edhe një libër elektronik i certifikatave të dhëna. Gjatë bastisjes është kryer inspektim në evidencën kompjuterike të shtetasve që janë paraqitur për testim në hapësirat e pikës së improvizuar mjekësore në një kazino në Dojran. Deri te Prokuroria Publike Themelore do të dorëzohet i gjithë dokumentacioni, kurse MPB-ja është duke i ndërmarrë të gjithë hapat për zbardhjen e plotë të rastit.