Policia ka njoftuar se zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë të Veriut, në koordinim me zyrtarët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, kanë siguruar informacione se një person me inicialet A.A. me vendbanim në Leposaviq posedon armë ilegale.
Pas pranimit të informatës, njësitë policore, kanë kryer kontroll në dy lokacione në komunën e Leposaviqit dhe një lokacion në komunën e Vushtrrisë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia” (Kosova është Serbi), dy bomba tymuese, një pistoletë me gaz së bashku me një karikator, një armë e gjatë AK-47 dhe një karikator i mbushur me 30 fishekë.
“Lidhur me rastin për të gjitha veprimet është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë. /Klankosova.tv



