Bashkimi i tregut të punës me Shqipërinë, vetëm në letër

Xhorxhina Bami, nga Tirana, jeton në Prishtinë qysh në vitin 2015. Fillimisht ka studiuar, ndërsa në dy vjetët e fundit është e angazhuar si gazetare në një rrjet rajonal të lajmeve.

Për të punuar dhe qëndruar në Kosovë, 25-vjeçarja – si çdo qytetar tjetër që nuk është shtetas i Republikës së Kosovës – duhet të pajiset me leje të përkohshme qëndrimi dhe leje të punës, ashtu siç e parasheh Ligji për të huajt në Kosovë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Xhorxhina tregon se procedurat për sigurimin e këtyre lejeve janë më të thjeshta në dy vjetët e fundit, nëse krahasohen me periudhën e mëparshme.

“Unë, para një muaji, e kam bërë aplikimin për të marrë lejen e qëndrimit për pesë vjet dhe ma kanë aprovuar javën e kaluar. Në këtë rast më është dashur kontrata e punës dhe kontrata e banesës, ose një vërtetim që jam duke jetuar ligjërisht në Prishtinë ose në ndonjë qytet tjetër në Kosovë”, tregon Xhorxhina.