Përmes planit “RESourceEU”, Bashkimi Evropian kërkon t’i japë fund varësisë së tij nga Kina për lëndët e para kritike, të cilat janë thelbësore për sektorët e automobilave, mbrojtjes, teknologjisë së gjelbër dhe digjitalizimit të Evropës.
Bashkimi Evropian po punon për një strategji për të zvogëluar varësinë e tij nga lëndët e para kritike kineze, tha të shtunën Komisionierja Evropiane Ursula von der Leyen.
Strategjia e rishikuar vjen në përgjigje të vendimit të Kinës në tetor për të zbatuar kufizime më të rrepta mbi eksportet e metaleve të rralla. Gjigandi aziatik ka të ngjarë ta ketë bërë këtë në përgjigje të tarifave tregtare të vendosura nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, por Von der Leyen theksoi ndikimin që do të kishte në Evropë.
“Nëse merrni parasysh se mbi 90% e konsumit tonë të magneteve të metaleve të rralla vjen nga importet nga Kina, shihni rreziqet këtu për Evropën dhe sektorët e saj më strategjikë industrialë”, tha Von der Leyen në një konferencë në Berlin.
Këto minerale janë thelbësore për industritë e BE-së, siç janë sektori i automobilave, mbrojtjes, teknologjisë së gjelbër dhe ai digjital.
Von der Leyen tha se në afat të shkurtër, BE-ja do të përqendrohet në gjetjen e zgjidhjeve me homologët e saj kinezë, por gjithashtu do të shtojë përpjekjet e saj për t’u koordinuar me vendet e tjera për të siguruar qasje në burime alternative të mineraleve.
“Qëllimi është të sigurohet qasje në burime alternative të lëndëve të para kritike në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë për industritë tona evropiane”, tha Von der Leyen.
“Ne do të përshpejtojmë punën për partneritete kritike për lëndët e para me vende si Ukraina dhe Australia, Kanadaja, Kazakistani, Uzbekistani, Kili dhe Grenlanda”.
Shefja e Komisionit Evropian tha se skema e re, e quajtur “RESourceEU”, merr përsipër “REPowerEU”, një iniciativë e nisur pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia me qëllim forcimin e pavarësimin e BE-së në sektorin e energjisë, larg burimeve ruse të energjisë, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.




