Bashkëpunimi me agjentët serbë dhe strukturat paralele / Pse nuk po hetohet firma e Thaçit “Geo mineral”

Si po jetojnë në paqe me krimin serb!? Si po jetojnë në paqe me agjentët serbë!

Ende vazhdon jehona e akuzave në luftë dhe pas saj, se cilido shqiptarë që mund të jetë në çfarëdo mënyre i lidhur apo në afri me serbët, nga ish grupet mbështetëse të klanit të Rognerit, duhet ekzekutuar.

Si duket këta nuk ishin caku i vërtetë. Kryesisht jashtë frontit të luftimeve targetoheshin mbështetësit e presidentit Rugova, figurat me ndikim të LDK-së.

Raportet e veçanta

Por, sot, e që nga pas lufta, nëse jo edhe më parë, po udhëheqësit e asaj retorike agresive, dhe veprimeve vrastare, kanë krijuar raporte speciale, madje jo me serbë të zakonshëm, jo me ata që bëjnë një jetë normale, por me njerëz të dalluar.

Kështu sa ishte kryeministër Ramush Haradinaj kishte ndërtuar raporte të veçanta me Milan Radojçiqin, përfaqësuesin e dorës së fortë të Serbisë në Listën serbe, komandues të saj. Po ashtu nënkryetar i grupit kriminal ndërkombëtar serbë, të futur në Listën e Zezë të SHBA-së vitin e kaluar.

Hashim Thaçi e kishte marrë për këshilltar, Branisllav Nikoliqin, agjentin e BIA-s serbe, të cilin më parë, sipas botimeve e kishte arrestuar policia e Kosovës, për një tentativë të falsifikimit të provave për trafikim të organeve kinse nga UÇK-ja.

Nga ekipi i tij i këshilltarëve e largoi vetëm pas raportimit në media, se ai ishte një agjent serb.
Nuk ishte rastësi. Hashim Thaçi dhe vëllai i tij, e quanin miq njëri-tjetrin. Ky ishte kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliqi.

Sipas vetë mediave të afërta me Thaçin, raportohej asokohe pas shkarkimit të tij, se emërimi ishte bërë pikërisht nga ‘miku i ngushtë i tij’, që përfaqësonte strukturat paralele të Serbisë në Shtërpcë.

“Miku i ngushtë i Hashim Thaçit, Bratislav Nikoliqi që është kryetar i Komunës së Shtërpcës ka ndikuar tek presidenti i vendit që vëllai i tij të emërohet këshilltar i presidentit të Kosovës”, raportonin ato asokohe.

Kjo histori nuk mbaron këtu. Branisllavi është pjesëtar i Listës serbe dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, partisë që urdhrat i merr drejtpërdrejtë nga Beogradi, dhe garantues për t’ju bindur janë banditët si Radojçiqi, dhe agjentët e BIA-s si Branisllav Nikoliqi.

Bashkëjetesa

Madje politikanë si Hashim Thaçi, Agim Çeku dhe të tjerë kanë zgjedhur edhe të jetojnë në mesin e serbëve në Graçanicë. Njerëzit janë të lirë të zgjedhin ku të duan të jetojnë, por kur njerëz me të kaluarën e tyre që kanë e bëjnë këtë zgjedhje, është e pamundur të mos e interpretosh, se ajo bëhet me tendencë, për të dëshmuar miqësinë dhe besueshmërinë ndaj atij komuniteti, në mesin e të cilit je futur, në këtë rast atij serb.

Edhe kjo mund të duket e parëndësishme, por nuk mund të anashkalohet fakti se si i kanë indoktrinuar mbështetësit e tyre, që të urrejnë, akuzojnë dhe kërcënojnë, për shkak se media dhe gazetarë të pakët kanë guximin që t’i evidentojnë këto të vërteta dhe të shkruajnë sipas dëshmive për vrasjet politike ndaj mbështetësve të Rugovës, apo brenda llojit të tyre, të bëra po ashtu për qëllime karrieriste. Dhe po ashtu duke pasur ndikimin në polici, prokurori, ata as nuk hetohen, as nuk merren në përgjegjësi për kërcënimet me jetë.

Firma “Geo mineral” e familjes Thaçi kishte privatizuar 30 hektarë tokë për 83 mijë euro në Shtërpcë.

Në vitin e kaluar e pata riaktualizuar çështjen e shkeljeve ligjore të kryera nga kryetari i Shtërpcës Bratisllav Nikoliqi, gjatë realizimit të tenderit për ndërtim banesash etj.

Pretendimet e prokurorisë se në tenderin prej 1.516.000 euro, më pas e kanë lidhur edhe një aneks kontratë tjetër në vlerë prej 346.674 euro për kryerjen e punimeve duke e tejkaluar vlerën e lejuar prej 10 për qind të kontratës bazë, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, u rihapën, dhe tashmë Nikoliq dhe të tjerë janë arrestuar.

ImageShtëpia e Hashim Thaçit në Çagllavicë të GraçanicësFOTO GALERI
Hetimet çuan në zbulimin e aferës “Brezovica”, ku ishte i përfshirë Nikoliqi dhe zyrtarë të tjerë të komunës, si dhe shqiptarë –zyrtarë komunal në Ferizaj dhe në Ministrinë e Ambientit dhe të Planifikimit Hapësinor.

Po ashtu Thaçi nuk e ka shpjeguar kurrë se si u bë që miku i tij Bratisllav Nikoliq ishte i emëruar për kryetar të Shtërpcës nga vetë Aleksandër Vuçiqi, atëherë kryeministër i Serbisë, me një vendim të nxjerrë në fund të vitit 2014. Skandal më vete ishte që një kryetar legal në Kosovë përfaqësonte edhe strukturat ilegale të Serbisë.

Ndërsa, vëllai i tij, Branisllav Nikoliqi, rezulton se nga viti 2016 deri në vitin 2019 për rreth tri vite ka shërbyer si këshilltar në Presidencën Thaçi, deri kur u detyrua ta shkarkonte.

Pse nuk po hetohet firma “Geo mineral” dhe bashkëpunimi me strukturat paralele në Shtërpcë

Nga ajo ‘miqësia’ e habitshme, e një djali nga Drenica me një nga Shtërpca, i lindur në Gjilan, (Hashimi me Bratisllavin) as pa studiuar bashkë, as pa qenë azil bashkë në Perëndim, pastaj këshillimi me pagë nga një agjent i BIA-s, dhe miqësia me një kryetar komune të strukturave paralele të Serbisë, që për mbështetësit e tyre, as këto fakte nuk po e bëjnë të dyshimtë shërbimin e presidentit Thaçi, duket se u bë biznes!

Nga ajo habi’ ndodhi që pikërisht në Shtërpcë, vëllai i Hashim Thaçit, në komunën që qeverisej nga miku i tij serb, të privatizonte mbi 30 hektarë tokë me një çmim thuaja simbolik, raportonin mediat proqeveritare pak ditë para arrestimit të Thaçit.

Firma “Geo mineral” me drejtor Idriz Thaçin. Vëllain e ish-presidentit, kishte privatizuar 164 mijë metra katror për 45 mijë euro, dhe më pas po kjo kompani privatizoi edhe 142.5 mijë metra katror për 38 mijë euro. Pra, kishte blerë tre mijë ari tokë për 83 mijë euro, përkatësisht 27.7 euro për një ari tokë, që nënkupton të blesh një parcelë për shtëpi, me 3 ari tokë, me 83 euro.

Protestat

Në protestat e veteranëve të ditës së hënë, u dëgjuan thirrjet Thaçi-Thaçi, dhe nuk munguan edhe parullat: “Qysh i kemi kap armët kundër Millosheviqit, i kapim edhe për këtë Qeveri!”

Pra, një urrejtje e habitshme analoge, ku ata që premtojnë të ruajnë sovranitetin, integritetin, dhe identitetin shqiptar, akuzohen se janë në anën e serbëve, ndërsa, ata që bëjnë kompromise deri tek ato të pafalshme, si me territorin, sovranitetin etj, janë patriot!

Të mendojnë një heshtje, se në anën e kujt ishin shefat e tyre dhe kujt po i shërbejnë tani!