Basha: Nuk gjeta mirëkuptim për të shtyrë përpara çështjen e tri buxheteve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha të enjten se nuk gjeti mirëkuptimin e përfaqësuesve politikë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që të shtyheshin përpara tri çështje: buxheti i ri i Kosovës për vitin 2026, ai për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun dhe buxheti për Radio Televizionin e Kosovës.

Basha e pranoi se është e pazakontë që e mblodhi Kryesinë e Kuvendit, duke parasysh se në praktikat e deritanishme, ky organ mblidhet vetëm pasi vendi të ketë një qeveri të re.

Megjithatë, ai tha se çështjet e parashtruara në këtë mbledhje kërkonin trajtim urgjent. Sipas Bashës, forma më e mirë ishte që sot të formoheshin grupet parlamentare, të bëhej ndarja e komisioneve parlamentare dhe në ditën pasuese të thirrej një seancë e jashtëzakonshme për çështjen e buxhetit të RTK-së, në mënyrë që transmetuesi publik të mos mbesë pa para.

Ai tha se më pas do të trajtohej çështja e buxheteve të tri komunave dhe në një seancë të ndarë ajo e buxhetit të shtetit për vitin 2026.

“Mirëpo, në asnjë nga këto pika nuk kam gjetur mirëkuptim. E dimë që jemi në situatë të jashtëzakonshme. Së paku kam pritur që sikur të kishte vullnet politik, kam qenë i bindur që nuk ka pasur asnjë shkelje kushtetuese e ligjore që të themelohen komisionet për RTK-në, buxhetin për komunat dhe buxhetin vjetor”, tha kreu i organit ligjvënës.

Basha e pranoi se pa votimin e Qeverisë së re të Kosovës nuk dihet se kush është në pushtet dhe opozitë dhe për rrjedhojë nuk dihet se sa komisione do t’i takonin partive.

“Po pajtohem që nuk ka pozitë e as opozitë, por po të kishte vullnet politik do të pajtoheshim për t’i ndarë këto 14 komisione parlamentare që i kemi pasur veç sa për një fazë tranzicionale për të miratuar buxhetet në fjalë. Pastaj, nëse kemi qeveri të re, kuvendit nuk ia ndalon askush të themelojë komisione të tjera parlamentare. Në hapin ku jemi ne është urgjente trajtimi i buxhetit të RTK-së, i tri komunave dhe i buxhetit të shtetit. Nuk është rrethana më e mirë, por mendoj se ka qenë forma më e mirë për të dalë nga kjo”, tha ai.

RTK-ja po përballet me probleme financiare tash e një kohë, pasi raporti vjetor i saj duhet të diskutohet nga Komisioni për buxhet i Kuvendit – që nuk është i themeluar – në mënyrë që më pas të ketë buxhet për pagat e mbi 700 punëtorëve.

Tri komunat – Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku – janë vonuar që të miratojnë buxhetin për vitin 2025, që do të duhej të miratohej deri më 30 shtator të vitit paraprak.

Basha paralajmëroi se këto komuna do të përballen me krizë financiare.

Ndërkaq, Ligji për buxhetin vjetor duhet të miratohet deri më 30 tetor dhe ekspertët kanë paralajmëruar se në fillimvit shteti mund të përballet me kolaps financiar për shkak të mosmiratimit të një buxheti të ri.

“Siç e dini, me zgjedhjet që na presin, me situatat që nuk parashikohen mund të mbesin edhe mbi 80 mijë zyrtarë publikë pa paga”, tha Basha.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha pas mbledhjes së kryesisë se po tentohet të “simulohet demokracia duke shkelur Kushtetutën”.

Ajo tha se nuk mund të themelohen komisionet e reja parlamentare, pasi që nuk dihet se kush është në pushtet e kush në opozitë.

“Nuk do të lejojmë që me vetëdije të shkelet Kushtetuta”, tha ajo.

Duke folur për buxhetin, ajo tha se Ligji është i qartë, pra Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të paraqesë para kuvendit një buxhet të ri.

“A e kuptoni në çfarë situate jemi? Nuk kemi qeveri. Ligji është shumë i qartë. Po më befason ndjenja e urgjencës që ka LVV-ja t’i trajtojë këto çështje pranë zgjedhjeve të reja”, tha Çitaku.

Çitaku shtoi se shpreson që gjatë takimit më 31 tetor të udhëheqësve partiakë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, nëse vërtetohet se askush nuk e ka shumicën, “sa më parë të shkojmë në zgjedhje të reja”.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se qasja e partive të tjera në mbledhje ishte “destruktive”.

Ajo paralajmëroi se në një situatë të tillë, pa buxhet të ri vjetor “nuk do të kemi buxhet as për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin e ardhshëm, ta zëmë kur ne të mos biem dakord për emrin e presidentit”.

Presidentja Osmani ka mandat deri në prill të vitit të ardhshëm.

“Në vend të përplasjeve politike, unë sot pash kapriço politike, qasje politike nga nënkryetarët e tjerë të Kuvendit. Në vend se të ishim të unifikuar [pr adresimin e situatës] ne u përpoqëm maksimalisht të ishim konstruktivë. E kuptojmë që asnjëherë s’ka ndodhur [formimi i komisioneve parlamentare] pa pasur votim të Qeverisë”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se partia e saj nuk përkrah idenë e një qeverie teknike për të dalë nga situata.

Më 26 tetor, Albin Kurti, i mandatuar për kryeministër, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme për të formuar qeverinë e re të vendit.

Presidentja Osmani, sipas ligjit, ka thirrur në konsultime udhëheqësit politikë. Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.

Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti – i cili është kryeministër në detyrë – paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor./REL