Basha i kërkon ndihmë BE-së dhe SHBA-së për “paketën anti-shpifje”

Në kulmin e debateve nga grupet e interesit në Shqipëri, ku komisioni parlamentar i ligjeve vetëm me dy vota kundra, miratoi nen për nen duke bërë disa ndryshime në projektligjin që synon dhënien fund të informalitetit tek portalet.

Për këtë ka reaguar edhe kreu i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha i cili thotë: “Në vend që sivjet të gëzonim 30 vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe fillimit të revolucionit të kadifenjtë që shembi komunizmin në Europën Lindore, ne po përballemi me rikthimin e nenit 55 për Agjitacion dhe Propagandë të kohës së diktaturës.

Dy projektligjet e propozuara mund të konsiderohen vetëm paketë “Anti-Fjalës së Lirë” sepse i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gjyqësore, i shndërrojnë këto dy institucione në censorë me forcë kërcënuese e sanksionuese kundër mediave të lira”.

“I bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të tjera mike demokratike, që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Edi Ramës për të mos ndërmarrë këtë veprim të rëndë kundër lirisë së shprehjes. Po ashtu kërkoj ndihmën e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që të kërkojnë prej qeverisë shqiptare t’ju përmbahet angazhimeve të ndërmarra për lirinë e shprehjes në kuadër të konventave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë”, thotë ai më tej.