Basha: Ftesa e Ramës, karrem për 25 prillin

Kreu i PD-së në Shqipëri Lulzim Basha kërkon sërish nga anëtarët e PD në Dibër që ta votë-besojnë me 13 qershor për të vijuar me drejtimin e partisë. Basha kërkoi të bindë strukturat se vetëm me atë në krye të selisë blu mund ta rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti. Madje Basha premtoi se nuk do të ketë një 2017 të dytë, pasi ai është i bindur se me dorën e shtrirë për bashkëpunimin, kryeministri Edi Rama kërkon ta fusë PD në kurth politik.

“Le ta themi troç drejtpërdrejt nuk do Edi Rama që ne ta vazhdojmë betejën bashkë dhe nuk do që unë të jem në krye të kësaj beteje. Zgjidhja që unë propozoj dhe me të cilën dua të vazhdoj t’ju udhëheq nuk është ajo e kompromisit me të keqen, pore betejës deri në fund për të çuar në greminë ata që i çuam buzë greminës më 25 prill. Sot kundërshtari politik, i cili në fakt është armiku i demokracisë, i Shqipërisë dhe i dibranëve po mundohet ta fshehë masakrën zgjedhore duke na shtrirë dorën për bashkëpunim, pa vija të kuqe siç thotë ai duke hedhur karremin që të ndryshojë ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore”, tha Lulzim Basha, Kryetar i PD-së.