Barometri i Ballkanit: Shqipëria, vendi më arsimdashës në rajon. Po Kosova e Maqedonia?

Barometri i Ballkanit edhe këtë vit e rendit Shqipërinë më arsimdashësen në rajon, pasi gjysma e të anketuarve mendojnë se progresi në jetë vjen nëpërmjet arsimit.

Kur shqiptarët u pyetën se “Çfarë është gjëja më e rëndësishme për ecur para në jetë”, 50 % e tyre u përgjigjën “Të kesh arsimin të mirë”.

Përqindja e shqiptarëve që lidh progresin me arsimin është më e lartë se në vendet e tjera të rajonit. Në të kundërt vetëm 24 % e boshnjakëve mendojnë se arsimi është baza e progresit në jetë, 15% e shtetasve nga Kosova, 20 % e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, 21 % e malazezëve dhe 21 % e serbëve.

Besimi se, progresi vjen nga arsimi i duhur shënoi rënie ndër shqiptarët në krahasim me vitin 2021. Barometri i vitit të kaluar tregoi se në shumicën dërrmuese, rreth 88% e shqiptarëve e lidhen suksesin me arsimin, ndërsa këtë vit vetëm 50 % e tyre.

Në përgjithësi njerëzit në Rajon mendojnë se progresi në jetë vjen duke njohur njerëzit e duhur. P.sh., 17 % e të anketuarve në Shqipëri mendojnë se në ketë mënyre. Por përqindja e njerëzve që mendojnë kështu është më e ulët se, në vendet e tjera të rajonit.

P.sh., 26 % e boshnjakëve mendojnë se progresi në jetë vjen me njohjet e duhura, gjithashtu edhe 26 % e shtetasve nga Kosova, 37 % e shtetasve të Maqedonisë së Veriut, 25 % e malazezëve dhe 28% e serbëve mendojnë në këtë mënyrë.

Një pjesë tjetër, rreth një e katërta e popullsisë së Rajonit mendon se progresi vjen si rezultat i punës. Duke punuar fort mund të kesh arritje në jetë mendojnë 18 % e shqiptarëve, 29 % e boshnjakëve, 36 % e shtetasve nga Kosova, 15 % e shtetasëve të Maqedonisë, 20 % e malazezëve dhe 25 % e serbëve.

Rreth 8 % e popullsisë në rajon mendon së progresi në jetë vjen nëse je anëtar i një familje të pasur. Personat që mendojnë në këtë mënyrë ishin në përqindje më të larta në Shqipëri (10 %) dhe Malin e Zi (12 %).

Interesant është fakti se 15 % e popullsisë në rajon e lidhin progresin në jetë më të qenit i lumtur. Shqiptaret kanë përqindjen më të ulët të popullsisë që mendon në këtë mënyrë. Vetëm 5 % e shqiptarëve mendojnë se progresi në jetë vjen duke përjetuar lumturi, ndërsa 19 % e serbëve dhe malazezëve mendojnë në lumtura është themeli i progresit./Monitor.al