Banorët për rrugën Ropalcë – Mateç: Çdo dy-tre javë vijnë e matin, por nuk shtrohet!

Me gropa dhe e ngushtë. Në këtë  gjendje është rruga që lidh fshatrat Mateç, Ropalcë dhe Nakushtak. Banorët e kësaj zone me dekada presin që kjo rrugë të rregullohet, raporton TV21.

“Si duket pritjeve të gjata për ndërtimin e rrugës nga fshati Mateç, Ropalcë dhe Nakushtak do t’i vije fundi. Sipas premtimit të fundit të Komunës së Likovës ndërtimet për këtë rrugë duhet të fillojnë javën e ardhshme.”

Për këtë rrugë rajonale, nga Komuna e Likvoës thonë se kanë siguruar mjete dhe janë kryer punët administrative.

“Në bazë të koordinimit që kemi me Agjensionin për  rrugë shtetërore nga java e ardhshme do të fillojnë edhe  punët ndërtimore  në terren dhe dalëngadalë ajo rrugë në afat prej 9 muajve duhet të kryhet në bazë të rekomandimeve të Agjensionit për rrugë shtetërore”, deklaroi Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.

Lajmit për asfaltimin e rrugës më së shumti iu gëzuan vetë banorët e këtyre fshatrave.

“Valla po… Mateç, Nakushtak e kendëj është katastrofë rruga. I prishëm edhe veturat”.

“Valla po, se veturat u prishën në Ropalcë, Mateç vet po e shihni. A e dini sa herë e kanë matur. Secilën dy-tre javë vijnë e matin andej e këndej por nuk e shtrohet. Por ne jemi shumë në qejf që do të shtrohet.

“Inshallah herën tjetër kur të vijmë të vijmë për asfaltin. Inshallah ju jeni ata që na ndihmoni. Ne kemi qejf që rruga të jetë e shtruar.”

Përderisa banorët mbetëm me shpresën se herën tjetër kur do t’i vizitojmë kjo rrugë do të jetë e përfunduar, kryetari i Komunës foli edhe për rëndësinë e kësaj rruge.

“Ai aks rrugorë është shumë i rëndësishëm për Komunën e Likovës për arsye se na lidh me kryeqytetin e Maqedonisë, Shkupin, gjithashtu e lidh Shkupin me pikën kufitare Bellanocë-Stanciq si dhe me dy pendët që i kemi si vend për rekreacion”, theksoi Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.

Me projektin e ri rruga jashtë vendbanimeve do të jetë diku 6 metra e gjerë, ndërsa projekti do të përfshijë ura që do të ndërtohen, kanalizime atmosferike si dhe dislokimin e të gjitha shtyllave dhe infrastrukturës nëntokësore në atë rrugë.