Banorët e Haraçinës të shqetësuar pas aksionit policor ndaj kamionit me dru

Aksioni policor me të shtëna një ditë më parë në Haraçinë ka shkaktuar frikë dhe shqetësim te banorët, pasi gjatë ndjekjes së një automjeti të ngarkuar me dru, policia ka qëlluar në ajër për të ndaluar automjetin në një zonë të banuar. Sipas dëshmive të qytetarëve që ndodheshin në vendngjarje, disa persona madje kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes emocionale.

“Kam qenë në rrugë dhe policia ka qenë duke e ndjekur kamionin. Kamioni i ka derdhur drutë dhe ata kanë gjuajtur drejt kamionit. Ndërkohë familjarët këtu janë sëmurë, nëna, gruaja, kanë marrë injeksione. Na frikësuan sikur me qenë viti 2001 me kallashë, a gjuhet njeriu me kallash në këtë kohë. 5-6 persona kanë qenë gjatë ngjarjes, bashkë këtu kam qenë edhe unë dhe drejt kamionit kanë gjuajtur. Ne duam qetësi, jo të bëhet luftë se kemi gra me fëmijë, gra shtatzëna, janë frikësuar,” tha një banor.

“Ishim duke ndenjur, një kamion doli me dru, ai nuk ndaloi dhe gjuajtën në të tre apo katër herë me kallash. Pati gra të cilat u frikësuan dhe e thirrën ndihmën e shpejtë,” tha një tjetër banor.

“Ishim këtu duke ndenjur vetëm kur kaloi kamioni, policia mbrapa. Ikën duke e mbajtur një grua, ikën dolën lart. Ai djali ua ka zënë rrugën, i ka rrëzuar drutë, ata kanë gjuajtur, ai ka ikur dhe hallall i qoftë që ka ikur. Këtu në Haraçinë sikur jemi ne të egër, s’e di çfarë na llogarisin. Turp është kjo, duke pasur fëmijë e gra. Kunatën time për pak e mbyti policia duke shpejtuar me veturë. Askush s’merr asnjë masë, ne si me qenë të humbur këtu.”- banor

Sipas MPB-së, shoferi kamionit të ngarkuar me dru nuk iu bind urdhrit për ndalim në hyrje të Haraçinë dhe pasi ka rrezikuar zyrtarët policorë me automjetin, policia ka shtënë plumba paralajmërues në ajër, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Më 24.05.2026 rreth orës 12:00, në hyrje  të fshatit Haraçinë, zyrtarët policorë i kanë dhënë shenjë për ndalim një automjeti transportues të ngarkuar me dru, por shoferi nuk është ndaluar dhe ka vazhduar lëvizjen. Më pas shoferi e ka drejtuar automjetin transportues drejt zyrtarëve policorë dhe automjetit zyrtar, pas çka zyrtarët policorë kanë shtënë plumba paralajmërues në ajër. Shoferi i ka shkarkuar drutë në rrugë  dhe me automjetin është larguar dhe është në arrati. Nuk ka persona të lënduar, drutë i janë dorëzuar Policisë Pyjore, ndërsa po ndërmerren masa për gjetjen e shoferit dhe automjetit. – MPB.

Banorët thonë se ndërhyrja e autoriteteve nuk ka qenë në nivelin e duhur për të garantuar sigurinë në një zonë të banuar dhe kërkojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi në raste të tilla. /Alsat.mk