Banorët e fshatit Paniçar të Komunës së Sarajit, bllokuan rrugën për të mos i lënë kamionët pesëtonësh të vazhdojnë gërryerjen për ndërtimin gazsjellësit që kalon përskaj fshatit të tyre. Arsyeja për revoltën e tyre është mospagimi i pronës që kanë, përkatësisht i arave që posedojnë.
“Dikush e ka dokumentacionin, por edhe ai që s’ka por ai e di me 100 vjet që është pronë e dikujt. Dikush ia ka lënë, babgjyshi apo baba. Rrugën e shihni, duke sjell materiale me kamiona e kanë bërë copë-copë,” tha Shabi Jakupi banor i f. Paniçar.
– Advertisement –
Sabit Shabani ka qenë i detyruar ta shesë bagëtinë përshkak se ia kanë dëmtuar arën dhe me këtë nuk ka mundur ta kullosë bagëtinë.
“Mua më lanë një muaj pa ujë dhe më detytuan ta shes bagëtinë,” tha Sabit Shabani banor i f. Paniçar.
Revolta më e madhe është për rrugën të cilën e ka prishur kompania e ndërtimit, e ata vetë me paratë e tyre e kanë ndërtuar.
“Në fillim na kanë thënë rrugën do t’na ndërtojnë, këto ara që do të prishen do të paguan të gjitha. Ato tash as nuk na i kanë paguar arrat por as rrugën nuk na i kanë ndërrtu. U thuajmë atyre rrugën pastaj nëse duan le të luajnë. Por pa e ndërrtu rrugën jo,” tha Pajazit Jakupi banor i f. Paniçar.
“Për çdo ditë veturat i prishim i keni parë gropat. Por kur do të vijë dimri dhe kur fillon të bie bore,” tha Rraman Shabani banor i f. Paniçar.
Edhe pse ishte paraparë të vijë kontraktuesi, ai nuk erdhi. Por për TV21 nga kompania e cila po bën punimin në këtë rajon thonë se janë të vetëdijshëm për revotën e fshatarëve dhe se kur do të përfundojë projekti do të bëjnë sanimin e rrugës.
“Kudo që bëhen kësi lloj punimesh ka shkatërrim të rrugëve. Plani është të përfundojnë në këtë pjesë punimet në gusht e më pas menjeherë do ta rregullojmë rrugën”.
Kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti tha se banorët kanë probleme pronësore. Shtoi se rrugën e fshatit do t’ua ndërtojë pasi është detyrë e komunës.
Ndërkohë banorët paralajmërojnë bllokim të rrugëve çdo ditë përderisa nuk marrin hisen e tyre./TV21