Banorët e Çairit kundër ndërtimit të shumëkatëshit

Një grup banorësh nga lagja e Shkupit Çair u mblodhën sot për ta shprehur shqetësimin e tyre që në afërsi të shtëpive të tyre të ndërtohet shumëkatësh 30 metra. Thonë se do ta prishë rendin në lagje, do të lë në hije një pjesë të shtëpive dhe do ta pengojë qarkullimin e ajrit. Kjo është një nga përpjekjet e banorëve të Çairit të ruajne te paktën një pjesë të gjelbërimit të mbetur, pasiqë dhjetëra ndërtesa e kanë zënë vendin e parqeve.

Shqetësimi se në mes të shtëpive, në këtë kodrinë për momentin e mbjellur me bimë, do të ndërtohet një shumëkatësh, i ka detyruar një grup të banorëve të lagjes së Shkupit Çair sot t’i thërrasin mediat që të ankohen se investitor i caktuar tashmë ka filluar procedurë për marrjen e lejes për ngritjen e ndërtesës. Objekti 30 metra do të jetë si mur në mes nesh, thonë para kamerave.

SEJDULLA ALI, BANOR I ÇAIRIT

“Sigurisht, na pengon, kjo në një farë mënyre do ta prishë rendin, do të jetë si një mur, llogarisni 30 metra, do ta mbyllë gjithë lagjen. Ka njerëz që jetojnë këtu dhe nuk do të shohin aspak diell, do ta mbyllë pjesën veriore dhe nuk do të ajroset, do të jetë si mur i lartë pa asnjë standard.”

Në qoftë se qyteti i Shkupit dhe komunat kompetente, Buteli dhe Çairi, nuk e pengojnë investitorin nga Tetova, siç pohojnë, të ndërtojë objektin në këtë lokacion, keta banorë kërcënohen me radikalizim të protestës. Nga qyteti i Shkupit për Tv Klan thonë se nuk kanë asnjë kompetencë për këtë rast.

QYTETI I SHKUPIT

“Plani detal urbanistik është nën kompetencën e komunave, në këtë rast nën Komunën e Butelit.”

Nga komuna e Butelit për momentin nuk kemi përgjigje në lidhje me këtë rast. Duke pasur parasysh që në pjesën më të madhe të sipërfaqeve të gjelbëra në këtë pjesë të Shkupit në dhjetë vitet e fundit janë ngritur ndërtesa, gjë që ka zvogëluar hapësirën për këmbësorët, hapësirën për këndet e lojrave për fëmijë, si dhe për parkingje për veturat, frika e këtyre qytetarëve është plotësisht e arsyetueshme. /KlanMacedonia