Banka Popullore: Lirohen pagesat e përditshme për qytetarët dhe kompanitë

Banka Popullore sot njoftoi se aktivitetet e saj për uljen e kompensimeve të bankave për pagesat elektronike për shkak të disponueshmërisë dhe përdorimit më të madh të tyre tashmë po japin rezultate të dukshme për qytetarët dhe kompanitë.

Pas komunikimit intensiv dhe uljes së kostove për përdorimin e Sistemit të Pagesave Ndërbankare të Maqedonisë – SPNM, theksojnë nga BP, bankat kanë rishikuar planet e tyre tarifore, duke ulur kompensimet për kryerjen e shërbimeve të pagesave. Të gjitha bankat tashmë kanë miratuar plane të reja tarifore me kompensime dukshëm të reduktuara për transaksionet e pagesave me urdhërpagesa.

“Kompensimet për pagesat e bëra nga qytetarët përmes SPNM janë ulur mesatarisht me rreth 50 përqind, ndërsa pagesat elektronike të bëra nga qytetarët brenda të njëjtës bankë (të ashtuquajturat pagesa të brendshme) po bëhen falas në shumicën e bankave. Kompensimet që kompanitë u paguajnë bankave janë ulur gjithashtu. Kështu, pagesat elektronike të kompanive në SPNM bëhen më të lira mesatarisht me rreth 30 për qind, ndërsa pagesat elektronike të brendshme me rreth 55 për qind. Në përgjithësi, bankat po kalojnë drejt kompensimeve më të lira dhe fikse për transaksion, të cilat dihen paraprakisht dhe nuk varen nga shuma e pagesës. Tarifat e reja më të lira janë tashmë në fuqi në disa banka, ndërsa bankat e mbetura planifikojnë të fillojnë të aplikojnë tarifa të reduktuara më së voni deri në tetor të këtij viti”, njoftoi Banka Popullore.

Këto ndryshime janë pjesë e vizionit më të gjerë të Bankës Popullore për dixhitalizimin dhe modernizimin e sistemit të pagesave. Shërbimet më të lira inkurajojnë përdorimin e pagesave elektronike, forcojnë besimin në institucionet financiare dhe kontribuojnë në operacionet me përgjegjësi shoqërore të sektorit bankar, citohet në kumtesën e Bankës Popullore.