Banka Botërore: Gjasat janë të vogla për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme deri më 2030

Gjasat janë të vogla që bota të përmbush qëllimin për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme deri në vitin 2030, tregon studimi i ri i Bankës Botërore.

Raporti i Bankës Botërore për varfëri dhe prosperitetit të përbashkët tregon se progresi global në uljen e varfërisë ekstreme ka ngecur.

“COVID-19 i ka dhënë goditjen më të madhe përpjekjeve globale për reduktimin e varfërisë që nga viti 1990 ndërsa lufta në Ukrainë paraqet një kërcënim për përkeqësimin e gjërave”, thuhet në raport, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.

Vlerësohet se pandemia ka shtyrë afro 70 milionë njerëz në varfëri ekstreme në vitin 2020, rritja më e madhe njëvjeçare që nga fillimi i gjurmimit të varfërisë globale në vitin 1990.

“Si rezultat, rreth 719 milionë njerëz jetonin me më pak se 2,15 dollarë në ditë në fund të vitit 2020”, thuhet në raport.

Rreth 600 milionë njerëz, kryesisht në Afrikën Sub-Sahariane, parashikohet të jetojnë ende me më pak se 2,15 dollarë në ditë deri në vitin 2030.

“Progresi në reduktimin e varfërisë ekstreme në thelb ka ngecur së bashku me ngadalësimin e rritjes ekonomike globale”, deklaroi presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Sipas tij, nevojitet përpilim i një politike makroekonomike e cila do të përmirësonte shpërndarjen e kapitalit global, do të promovonte stabilitetin e monedhës, do të ulte inflacionin dhe do të riniste rritjen e të ardhurave mesatare.

“Alternativa është ‘status quo’ – ngadalësimi i rritjes globale, norma më të larta interesi, refuzim më i madh ndaj rrezikut dhe dobësim të shumë vendeve në zhvillim”, shtoi ai.