Balotazhi në Georgia: Garë e ngushtë mes kandidatëve

Rezultatet e dy zgjedhjeve të balotazhit në shtetin e Georgias në SHBA për ulëse në Senat, që do të përcaktojë ekuilibrin e fuqisë në Uashington, janë shumë afër shpalljes së tyre.

Me 98 për qind të votave të numëruara, demokrati, Raphael Warnock ishte përpara senatores, Kelly Loeffler me më pak se një pikë, dhe në balotazhin tjetër, demokrati, Jon Ossoff dhe senatori republikan, David Perdue janë në barazim.

Agjencia Reuters raporton se demokrati, Raphael Warnock, ka fituar në balotazhin e ashpër për ulëse në Senatin Amerikan në shtetin e Georgias duke e mundur republikanen, Kelly Loeffler.

Por, cila parti do të kontrollojë senatin mbetet ende e paqartë pasi rezultatet e balotazhit të dytë ende nuk dihen.

Numërimi i votave pritej të vazhdojë më 6 janar. Zyrtarët kanë paralajmëruar se rezultatet mund të mos dihen për disa ditë, pasi qarqet duhet të numërojnë një numër të madh fletëvotimesh përmes postës.

Balotazhet në Georgia janë shumë të rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan.

Nëse demokratët fitojnë të dyja ulëset, Senati do të ndahet 50-50, dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris, që gëzon të drejtën e votës mund t’i sigurojë demokratëve kontrollin e Senatit. Demokratët tashmë kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sigurimi i një shumice në Senat do të rrisë shanset që presidenti i zgjedhur, Joe Biden të jetë në gjendje të shtyjë përpara agjendën e tij legjislative. Republikanët duhet të fitojnë vetëm një nga garat për të mbajtur pushtetin.

Këto zgjedhje në Georgia kanë nxjerrë në pah ndasitë e ashpra politike dhe kanë mobilizuar të dyja palët, si në asnjë garë tjetër për ulëse në Senatit në vitet e fundit.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden dhe ai aktual, Donald Trump, bënë fushatë në këtë shtet më 4 janar, duke shpresuar që të mblidhnin votuesit në qendrat e votimit nëse ata nuk kishin hedhur votat e tyre me postë ose në votime të hershme.

Biden ka thënë se banorët e Georgias mund ta modelojnë SHBA-në për vitet që do të vijnë.

Trump, në anën tjetër, u ka thënë votuesve të tij se është “shansi i fundit për ta shpëtuar Amerikën” që duan.

Republikanët Kelly Loeffler dhe David Perdue aktualisht mbajnë dy vendet e Georgias në Senat.

Republikanët aktualisht kanë 52 nga 100 vendet e Senatit. /rel