Raporti i fundit i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian evidenton se, pavarësisht progresit në reformën në drejtësi, Shqipëria vijon të përballet me probleme serioze që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit dhe mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.
Dokumenti vlerëson procesin e vettingut dhe përpjekjet për të forcuar institucionet e drejtësisë, por thekson se sistemi vazhdon të përballet me presione dhe kërcënime politike që rrezikojnë pavarësinë e tij. Eurodeputetët ngrenë shqetësimin për ndërhyrje dhe pengim të drejtësisë dhe kërkojnë që çdo vendim, përfshirë ato që lidhen me imunitetin parlamentar, të merret pa ndikim politik dhe pa vonesa.
“Shqipëria duhet të… konsolidojë historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”
Pra, çështja Balluku tashmë përfshihet edhe në raportin zyrtar të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Kujtojmë se që në momentin që Edi Rama nisi të pëngojë drejtësinë për imunitetin e zëvendëses së tij, BE reagoi dhe mbajti qëndrim të prerë se ajo çështje do të kushtëzonte proceset integruese, gjë që edhe ka ndodhur, ku Shqipëria prej muajsh nuk po kalon dot raportin IBAR, ndërsa Mali i Zi po avancon më hapa të shpejtë drejt mbylljes së grupkapitujve.
Një nga pikat më kritike të raportit është mungesa e rezultateve të prekshme në hetimin dhe dënimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Pavarësisht kuadrit ligjor dhe institucioneve të ngritura, si SPAK, theksohet nevoja për një “historik të qëndrueshëm” hetimesh dhe vendimesh përfundimtare, çka nënkupton se pritshmëritë e BE-së nuk janë përmbushur.
“gjyqësori vazhdon të përballet me presione dhe kërcënime politike që rrezikojnë të dëmtojnë pavarësinë gjyqësore”
Në këtë kuadër, raporti kërkon që institucionet e posaçme të kenë pavarësi të plotë, burime të mjaftueshme dhe të mos përballen me kufizime apo ndërhyrje në punën e tyre. Ky mesazh vjen në një moment kur në Shqipëri ka debate të forta politike për mënyrën se si po trajtohen çështjet që prekin zyrtarë të lartë të qeverisë.
Pra, siç u cek edhe më lart, edhe pse raporti nuk përmend emra konkretë, theksi i vendosur tek korrupsioni në nivele të larta dhe tek nevoja për hetime të paanshme lidhet drejtpërdrejt me diskutimet publike për çështje të ndjeshme, përfshirë akuzat dhe polemikat rreth zv.kryeministres Belinda Balluku. Kritikat e opozitës për ndërhyrje politike në drejtësi gjejnë një jehonë të tërthortë në shqetësimet e shprehura nga eurodeputetët.
Po ashtu, raporti evidenton rënien e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, duke e cilësuar korrupsionin si një problem serioz që kërkon masa më të forta, veçanërisht në sektorë me rrezik të lartë si prokurimet publike dhe koncesionet—fusha që kanë qenë shpesh në qendër të kritikave ndaj qeverisë.
“Shqipëria ka rënë në vendin e 91-të… krahasuar me… vendin e 80-të”
Në përfundim, mesazhi i Parlamentit Europian është i qartë: pa një drejtësi realisht të pavarur dhe pa goditje të prekshme të korrupsionit në nivele të larta, progresi i Shqipërisë drejt BE-së mbetet i brishtë.
© SYRI.net



