Në Ohër të Maqedonisë së Veriut të mërkurën mbahet takimi i radhës i nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.
Liderët pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithatë, në Ohër, në cilësinë e vëzhguesve po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ndërkaq, nikoqiri i takimit në Ohër, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se “në çdo takim të ri të nismëtarëve dhe miqve të ‘Ballkanit të Hapur’, ne ofrojmë bashkëpunim më të fortë, komunikim më të lehtë dhe kushte më të mira për zhvillim ekonomik”.
“Është kënaqësi që mysafirë tanë në këtë samit janë Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët besoj se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kësaj nisme të suksesshme”, tha Kovaçevski përmes një postimi në Facebook.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të martën në Ohër se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.
Ai pas arritjes në Ohër tha se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma “Ballkani i Hapur” është në dobi të të gjithëve.
“Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, tha Vuçiq, teksa foli edhe nëse kjo nismë është e hapur për Kosovën.
“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t’i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për ‘Ballkanin e Hapur’”, tha Vuçiq.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, deklaroi të martën në Ohër se pret që Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës së shpejti të marrë vendim për t’iu bashkuar kësaj nisme.
“Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jenë pjesë e projektit ‘Ballkani i Hapur’, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Unë jam këtu për të përcjellë mesazhin tek anëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ se Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Tegeltija për Radio Televizionin e Republikës Sërpska./REL




