“Ballkani i hapur” dhe spastrimi heshturazi i Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës!

Shkruan: Naser Pajaziti

“Ballkani i hapur” dhe spastrimi heshturazi i Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës!

Aleksandar Vuçiqi me gjuhën e diplomacisë dhelparake serbe edhe sot në mes të kryeqendrës shqiptare shiti ‘vlera’ demokracie dhe paqeje, me gojën plotë liri, lëvizje të njerëzve e dokrra tjera.

#EdiRama, a e ke pyetur mikun tënd Vuçiq pse po zhbihen shqiptarët e Medvegjës dhe zbrazja e vazhdueshme e Bujanocit e Preshevës?!

Mbi 4 mijë shqiptarë të Medvegjës janë shlyer dhe po shlyhen nga regjistrat amë, u janë pasivizuar adresat dhe pronat e tyre, gjithë kjo vazhdimësi e politikave hegjemoniste dhe çubrilluviçiane. Mijëra të rinj çdo ditë po braktisin Preshevën dhe Bujanocin, duke mos patur një shpresë jete në vendlindjen e tyre.

Pse heshtet dhe nuk kërkohet llogari për këtë spastrim të heshtur etnik. Çfarë kuptimi dhe misioni ka “Open Ballkani” juaj?

#EdiRama PSE po heshtë?!

Janë thirrjet e vazhdueshme të veprimtarit dhe asambleistit të Medvegjës Muharrem Salihu, reagimet dhe denoncimet e spektrit politik dhe shoqërisë civile në tri komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, faktet dhe dëshmitë e Sonja Biserkos në adresë të Tiranës zyrtare, Prishtinës zyrtare dhe dhjetëra institucioneve ndërkombëtare.

Por, për çudi, Edi Rama nuk ka një përgjigje!

Përpos kësaj, ai i ka krijuar këtë komoditet miku të tij serb, duke e goditur me thikë pas shpine edhe shtetin e Kosovës, në emër të politikave të mashtrimit tradicional serb.