Shkruan: Prof.dr.Muhamedin Kullashi
Në takimin e djeshëm në Berlin, Presidenti i Francës Emannuel Macron, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, theksuan vendosmërinë e përbashkët “të mos lejojnë kurrë që Rusia të fitoi e njëherit ta mbështesin popullin e Ukrainës deri në fund.”
Ndërkaq të enjten, në një intervistë për media në Paris, Macron deklaroi se “Nëse Rusia e fiton këtë luftë kundër Ukrainës, kredibiliteti i Evropës do të redukohej në zero”. Mirëpo, nuk është fjala vetëm për kredibilitetin. Do të rrezikoheshin së pari vendet e Evropës lindore: Polonia, Lituania, Estonia, Rumania e Bullgaria; të gjithë ne në Evropë, shtoi ai, nuk do të kishim më sigurinë. Duke kritikuar disa rryma politike proruse në Francë, ai saktêsoi se “paqja nuk mund tê arrihet me kapitullimin e Ukrainës.”
Në qershor 2022, Macron kishte një qëndrim të matur. Ndërkaq, evoluimi i tij kah një pozicion më i fortë, lidhet me rritjen e agresivitetit të Rusisë.
Marrëveshja bilaterale dhjetvjeçare për siguri, që u nënshkrua në Paris midis Zelenskit dhe Macronit, parasheh një ndihëm prej 3 miliiardë euro për mbrojtje, të parapara më 2024. Në vitet 2022-2023, Franca i kishte dhënë Ukrainës 3,8 miliardë ndihma për armatim, sasia e municionit shumë e rëndësishme. Ndërkaq, Gjermania është vendi i cili deri më tani prinë me ndihma financiare dhe me armatim për Ukrainën.
Presidenti Macron, së voni, përmendi mundësinë që vendet perëndimore të dërgojnë në Ukrainë, forca ushtarake. Disa vende u distancuan nga ky opsion. Tani për tani flitet për praninë e ekspertve ushtarakë sikurse edhe për planet që disa vende perëndimore të ndërtojnë në Ukrainë fabrika për prodhimin e armatimit.
Kristalizimi i kësaj vendosmërie për mbrojtjen e Ukrainës dhe të Evropës në përgjithësi nga rreziqet që i paralajmëron Rusia, është fort i rëndësishëm edhe për Ballkanin dhe Kosovën.
* I shkruar me 16 mars 2024