Balje thotë se Asociacioni me kompetenca ekzekutive mund të bëhet Republikë Serbe

Deputetja nga Grupi Multietnik, Duda Balje, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë shumë kujdes me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo ka thënë se një Asociacion me kompetenca ekzekutive, një ditë mund të shndërrohet në një Republikë Serbe siç është ajo në Bosnje e Hercegovinë.

“Asociacioni nuk është diçka e lehtë te ne. Asociacionin që ne e mendojmë si Organizatë Jo-Qeveritare, ata nuk e pranojnë kurrë”, ka thënë ajo.

“Secili dizajn i Asociacionit i cili i jep më shumë kompetenca, nesër-pasnesër mund të kemi situata copy-paste sikur në Republika Serbe”, ka shtuar deputetja.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nëse kemi presion për ta bërë Asociacionin, duhet ta bëjmë me kompetenca që pas 5-6 vitesh mos të ndodh siç ka ndodhur në Republikën Serbe”, është shprehur Balje.

“Nëse ne u japim kompetenca që e lejon referendumin që të mund të ndahen pre Kosovës, ky do të ishte një gabim i madh”, ka thënë ajo.