Shkruan: Fejzi HAJDARI
Kur tha se shqiptarët e Maqedonisë janë popull “shtetformues”, e kuptova se nuk e kishte seriozisht dhe mund ta ketë patur si pjesë të agjendës, respektivisht si mision!
E kuptova pra presidentin shqiptar Bajram Begaj se pse erdhi për vizitë në Shkup, Tetovë e Gostivar. Edhe Begaj, si shumë të tjerë zyrtarë të lartë të Tiranës, si Edi Rama, zonja Spiropali që shpiku termin “minoritet shtetformues”, dhe shumë të tjerë politikanë të lartë shtetërorë nga Tirana, por edhe disa nga Prishtina, sikur të ishin koordinuar me Ali Ahmetin, për të na bindur se jemi “popull shtetformues”. Ne shqiptarët sinqerisht do të donim të ishim të tillë, pra, element konstituiv – shtetformues, por ja që nuk jemi edhe pas më shumë se 3 dekash demokraci. Nw Shkup, ne akoma bwjmw beteja politike – nwse gjuha shqipe wshtw zyrtare apo jo…
Si mund të quhet shtetformues, populli i cili në Kushtetutë, figuron i superdiskriminuar me formulimin ofendues: “popull 20 për qind…”. Ose, si mund të jemi “shtetformues”, kur shumë institucione shtetërore dhe të ndjeshme, vazhdojnë të jenë ende me zero përfaqësim nga shqiptarët, edhe krahas 25 vitesh distancë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Nuk e di nëse ambasadori i Shqipërisë në Shkup Meidani, por edhe politikanët shqiptarë, i kanë treguar presidentit Bajram Begaj se gjuha me të cilën flasin shqiptarët e këtushëm, në kushtetutë askund nuk figuron si “gjuha shqipe”, por, fatkeqësisht, si “gjuhë e bashkësisë etnike mbi 20 për qind. Pra, “populli shtetformues” i presidentit Begaj, tanimë 34 vite demokraci vazhdon të jetë i superDiskriminuar në rrafshin kombëtarë e kushtetuese.
Sa për ilustrim, sërbët me 3 për qind në Kosovë, e kanë statusin kushtetues shumë herë më të avansuar se mbi 30 përqind e shqiptarëve të Maqedonisë.
Pse na flisni akoma për Marrëveshjen e Ohrit, dokument ky, implementimi i të cilit duhej të përfundonte në vitin 2004! Me fjalë tjera, pse talleni me ne shqiptarët, apo ndoshta qëllimi juaj është t’i arsyetoni partitë politike që për 25 vite nuk arritën ta zbatojnë një Marrëveshje politike, që kishte afat katër vite.
Më këto deklarata sa absurde dhe pothuajse po aq tendencioze, jo vetëm që mbështetet politika e gabuar dhe e qëllimshme ndaj statusit diskriminues të shqiptarëve, por edhe ofendohet niveli kolektiv i shqiptarëve të këtushëm.
Kurrë s’do ta kisha besuar se presidentit Begaj, njësoj sikurse edhe zonjës Spiropali dhe Edi Ramës, iu mungojnë informatat e sakta e të detajuara në kětë drejtim. Por edhe më keq është nëse ato i kanë, dhe prapë vazhdojnë t’na quajnë “shtetformues” dhe shumë budallalliqe tjera!?!
Kur i dëgjon edhe disa qarqe politike nga Prishtina (jo të gjithë) të na quajnë si të tillë, të krijohet bindja sikur ky trekëndësh djalli i politikanëve shqiptarë nga këto 3 qendra Shkup-Tiranë-Prishtinë, sikur i kanë harmonizuar deklaratat për t’i quajtur shqiptarët e këtueshëm “shtetformues”!?
Është mahnitëse dhe emocionuese, kur i sheh shqiptarët sesa janë të entuziazmuar kur vijnë zyrtarët shtetërorë nga Tirana e Prishtinë, por jo për atë që e deklarojnë për ne shqiptarët, por për atë që janë, shqiptarë – vëllezër të një gjaku e gjuhe. Prandaj, edhe vizitat e tyre në Shkup, çdo herë e më shumë po shkaktojnë mjegull me paraqitjet e tyre para mediave, sesa po japin ndonjë shpresë, në kuptimin e manifestimit të shprehjes së interesimit dhe kujdesit ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, ashtu sic e parasheh edhe kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Pra ne s’po kërkojmë shumë nga zyrtarët shtetërorë nga Tirana, vetëm le ta respektojnë Kushtetutën e shtetit shqiptarë kundrejt shqiptarëve të Maqedonisë.
Prandaj ju lutemi, nëse na respektoni dhe doni, të paktën mos na ofendoni – do të donim të jemi shtetformues, sepse fundja për atë u derdh gjaku në vitin 2001, por nuk jemi, fatkeqësisht.
Jo me fajin tonë, por me fajin e atyre që nuk deshën, dhe akoma nuk duan, që ne të jemi mirëfilli “popull shtetformues”!
Herave tjera ju lutem, nëse nuk mundeni, dini e doni t’na ndihmoni, të paktën mos na ofendoni e provokoni!
* “Begaj” në maqedonisht do të thotë “ik”!



