Bajram Asani-Wiena dhe Jeton Berisha, shqiptarët e plagosur në Kroaci, takohen pas 30 viteve falë miqësisë me ish kryeministrin Ramush Haradinaj

Në luftën e Kroacisë kundër Serbisë dhe armatës jugosllave, kanë marrë pjesë shumë shqiptarë, duke u radhitur në mesin e luftëtarëve që i kanë dhënë goditjet më të fuqishme forcave serbe. Një prej tyre ka qenë edhe Bajram Asani nga Shkupi, i cili edhe është plagosur gjatë luftimeve, transmeton gazeta Lajm.
Për pjesëmarrjen në luftën e Kroacisë, ai është dekoruar nga ish kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, bashkë me bashkëluftëtarin e tij, Jeton Berisha nga Deçani. Me fillimin e luftës, ata kanë lëshuar radhët e ushtrisë jugosllave dhe janë arrestuar krah forcave kroate.

“Kam dëgjuar histori të ndryshme nga njerëzit tonë.
Sot isha dëshmitar i një takimi, që përmban shumë emocion, dhembje dhe gëzim njëherësh.
Bajram Asani nga Shkupi dhe Jeton Berisha nga Pozhari i Deçanit, ishin plagosur rëndë brenda një dite në vitin 1991, në luftën e Kroacisë dhe për tridhjetë vite, e dinin njëri tjetrin të vdekur.
Kënaqësi të dëgjosh kujtimet e tyre, vuajtjet dhe të arriturat, por dhe gëzimin që janë ritakuar në liri pas tri dekadash”, ka shkruar Haradinaj pasi u ka ndarë dekoratat Asanit dhe Berishës .

Bajram Asani ka lindur në Shkup. Me origjinë është nga Lugina e Preshevës. Ai është takuar pas 30 viteve me shokun e tij Jeton Berisha nga Pozhari i De;anit. Ata dy deri tani kanë menduar për njëri tjetrin se nuk janë gjallë, kurse janë takuar falë familjes Haradinaj.

Pas përfundimit të luftës në Kroaci, ka emigruar në Austri, ku ka filluar të notojë me sukses në ujërat e biznesit. Në vitet e nëntëdhjeta, Asani e ka themeluar dhe e ka udhëhequr kompaninë e ndërtimtarisë “Asani Bau” në Vjenë, kompani e cila ekziston sot e kësaj dite.
Sipas burimeve tona, “Asani Bau” ka të punësuar numër të madh punëtorësh dhe posedon prona në shumë qytete në Austri dhe Zvicër. Poashtu në Shkup posedon një rrjet të Shtëpive studentore.

Gjatë kohë për të nuk është dëgjuar në Shkup, mirëpo tani flitet për rikthimin e tij si biznesmen.
Merret vesh se në Shkup Bajram Asani dhe kompania e tij do të ndërtojnë dy lagje elitare me shtëpi luksoze. Njëra do të jetë në fshatin Bardovcë, kurse tjetra afër Liqenit të Smilkovës.
Ato do të jenë lagje të sistemit të mbyllur, me stil ultramodern, që do të paraqesë risi në Maqedoninë e Veriut. Ndërtimi i tyre pritet të fillojë sapo të krijohen kushte shkaku i pandemisë.