Biznesmeni dhe veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq lidhur me arrestimin e liderit venezuelian Nicolás Maduro, duke akuzuar Beogradin se mundohet të qëndrojë në krah të regjimeve autoritare dhe jashtë rendit demokratik perëndimor.
Bajraktari e përshkroi qëndrimin e Serbisë si një mbështetje të pandërprerë për diktatorët që kundërshtojnë drejtësinë ndërkombëtare, duke nënvizuar paralelizmin mes politikave destabilizuese të Vuçiqit dhe aleancave të tij me figura si Maduro — një simbol i manipulimit të zgjedhjeve, trafikut të drogës dhe narko-terrorizmit, përcjell “Bota sot”.
Gjithashtu, ai ka bërë thirrje ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë të mos lejojnë që Vuçiqi të diktojë realitetin rajonal me lojërat e tij politike dhe destabilizuese
Shkrimi i plotë
Serbia sërish në anën e gabuar të historisë!
Ajo është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, udhëheqësi i të cilit dënoi arrestimin e Nicolás Maduros — simbol i represionit, zgjedhjeve të manipuluara, trafikut të drogës dhe narko-terrorizmit.
Ky reagim nga Aleksandar Vuçiq nuk është aspak befasues: diktatorët që sundojnë përmes frikës ndihen të kërcënuar kur drejtësia më në fund godet njërin prej tyre.
Ja pse Vuçiqi dhe Maduro kanë të njëjtin model veprimi:
– Vuçiq përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
– Ai vazhdon të pengojë paqen, të përshkallëzojë tensionet dhe të kërcënojë sovranitetin dhe sigurinë e shteteve fqinje.
– Serbia mbetet e rreshtuar me shtete armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe botës demokratike, përfshirë Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.
– Mbështetja e Vuçiçit për Maduron nuk është diçka e re — ai e nisi karrierën e tij politike duke shërbyer për Sllobodan Milloseviqin, arkitektin brutal të luftërave dhe gjenocidit në Ballkan gjatë viteve ’90. Vuçiq vazhdon edhe sot të njëjtën trashëgimi, duke u rreshtuar me diktatorë dhe duke kundërshtuar llogaridhënien.
U bëj thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë të mos lejojnë që Vuçiqi të diktojë realitetin përmes lojërave të tij të paturpshme dhe destabilizuese.




