Bajden dhe ne!

Mersel Bilalli
Pas një stuhie deti, valët kishin hedhur përgjatë plazhit të thatë një panumër yje deti. Një grua, duke qarë tha: “Nuk ka shpëtim për ta, janë miliona”. Një plak i urtë kapi një yll dhe e hodhi në det. “Ja, ka shpëtim për këtë”, – thirri plaku.
Edhe dy ditë, do t’i kemi zgjedhjet më emocionuese amerikane në dekadat e fundit. Analiza serioze sugjerojnë që Tramp do të bëhet histori. Mbi të gjitha, shpesh ndodh që politikanë që lëvdojnë Zotin kurse ndjekin djallin, në përpjekjet e tyre për të krijuar një histori, ndodh që vet të përfundojnë në të.
Analistë të shumtë besojnë se me presidentin ekzistues, Shtetet e Bashkuara kanë humbur dukshëm ndikimin e tyre global. Sipas një studimi të kryer në 13 vende nga “Pew Research Center”, në shumë vende të botës, qëndrimi pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara është në nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe tek aleati i saj natyror Britania e Madhe, qëndrim pozitiv kanë vetëm 41 përqind të të anketuarve. Në Francë kjo përqindje është nën 30 përqind, ndërsa te gjermanët është vetëm 26 përqind! Nuk ka dyshim që kësaj i detyrohet më së shumti vetë presidenti Tramp, i cili gjoja gjurmonte për një të ardhme më të mirë, por sikur i mungonte e kaluara e shëmtuar.
Në fakt Tramp ka dëmtuar dukshëm dy shtyllat e rëndësishme të politikës së jashtme të SHBA – NATO dhe UE. Ai ka përbuzur vazhdimisht Aleancën, e cila për më se 60 vite ka qenë një gur themel i politikës së jashtme amerikane, duke e quajtur atë “të vjetruar”, kurse anëtarët e saj “aleatë mosmirënjohës që përfitojnë nga bujaria amerikane”. Gjatë mandatit të tij, Tramp tërhoqi rreth 170,000 trupa nga e gjithë bota. Realisht, burimin e politikës anti-UE të Shtëpisë së Bardhë duhet të kërkohet te John Bolton, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit Tramp, i cili ka ushqyer prej kohësh një ideologji të fortë anti-UE. Ai pat shkruar se “UE është shumë e ngjyrosur me anti-amerikanizëm”, kështu që lehtë e pati ta bindë Presidentin që UE të radhitej mes kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, së bashku me Kinën dhe Rusinë.
Analistja e njohur kanadeze Margaret Mac Millan, e cila ligjëron në Oksford, si mysafire e “Councilon Foreign Relations” pat thënë se Tramp kishte dëmtuar rëndë rrjetin e aleancave dhe institucioneve ndërkombëtare. Kërcënimet për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania (sepse ajo nuk alokon sa duhet për mbrojtjen e përbashkët), futja e tarifave për produktet evropiane, si dhe kërcënimet me sanksione nëse starton tubacioni i gazit “Nord Stream-2”, janë një rrënim serioz i parimeve të politikës së jashtme amerikane. “Evropa ishte mësuar të mbështetet te vëllai i saj i madh në Uashington, kurse tani evropianët duhet të mendojnë se patjetër të bëhen të pavarur dhe të zhvillojnë vetë politikën e tyre të jashtme,” pat thënë McMillan.
Që nga fillimi i mandatit të tij, retorika e presidentit Tramp ndaj Kinës ka qenë militariste. Ajo u intensifikua muajve të fundit kur Tramp pandeminë e quajti një “virus kinez”. Edhe para kësaj, Tramp bëri hapa të çuditshëm, së pari duke iu drejtuar Presidentit të Tajvanit drejtpërdrejt – duke thyer kështu precedentin e vitit 1979 kur të gjitha komunikimet direkte me Tajvanin u patën ndërprerë (për shkak të subjektivitetit të Kinës). Në një rast, ish Sekretari i Shtetit Tillerson madje njoftoi se Kinën do të bllokonte me ishujt artificialë në Detin Jugor Kinez, duke rrezikuar konflikt serioz global. Pas një kohe, Tramp i shpalli Kinës një luftë tregtare, e cila dëmtoi madje edhe vet tregtinë e SHBA, kurse shumë kompani kineze u desh të zhvendosen në Vietnam dhe Kamboxhia për të ulur kostot.
Tramp vazhdimisht ka ushqyer simpatinë për udhëheqësit botërorë me kapacitet të ulët demokratik, veçanërisht Putinin. Madje atij ia dorëzoi Sirinë, presidenti i së cilës pat përdorur armët kimike kundër rebelëve. Nga ana tjetër, ai tronditi të gjithë planetin kur urdhëroi vrasjen e Qassem Sulejmanit, gjeneralit më të fuqishëm iranian që drejtonte operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Tërheqja e çuditshme e Trampit nga lufta kundër ndryshimeve klimatike konsiderohet edhe një mëkat i madh i tij, duke tërhequr SHBA-të nga Marrëveshja e Parisit, e cila zyrtarisht hyn në fuqi në 4 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale (Bajden njoftoi se ai menjëherë do të bëjë të kundërtën). Zhvendosja e ambasadës amerikane në Jerusalem (me presion mbi vendet e tjera për të bërë të njëjtën gjë), konsiderohet gjithashtu një mëkat, pasi ka dëmtuar shumë procesin e paqes atje. Në të njëjtën kohë ky veprim dukshëm dëmtoi marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë me UE-në, e cila haptazi kundërshton zhvendosjet. Kurse mëkat më i madh i Trampit konsiderohet doza e rrezikshme e tij e racizmit, e cila ka çuar në ndarje të mëdha në vend. Që në fillim, Trampi u pat thënë kongresistëve me ngjyrë tjetër të lëkurës “që të kthehen në vendet nga të cilat kishin ardhur”!

Çfarë do të bëjë Bajden?
Disa mendojnë se dëmi tashmë është bërë dhe se është shumë e vështirë për ta përmirësuar atë. Sidoqoftë, ekspertët janë të mendimit se Bajden do të ishte i suksesshëm në mandatin e tij, madje vetëm duke mos e bërë atë që bëri Trampi, kurse për të qenë akoma më i suksesshëm ai do të duhet të bëjë krejt të kundërtën e asaj që ka bërë Tramp. Ai do të duhet të ndryshojë rrënjësisht politikën e tij ndaj aleatëve evropianë, të konsolidojë Aleancën dhe të afrohet me UE.
Nuk ka dyshim se edhe Ballkani Perëndimor do të marrë trajtimin e duhur. Ndryshe nga presidenti aktual, i cili nuk ka përvojë të drejtpërdrejtë me Ballkanin Perëndimor, madje as shumë vullnet, Bajden është marrë me rajonin që nga shenjat e para të një krize luftarake në vitet e nëntëdhjeta, si një senator i asaj kohe. Bajden me siguri do të afrojë UE dhe NATO për të ndërtuar një strategji të përbashkët për Ballkanin Perëndimor. Ai ka njohuri dhe përvojë për të nxitur reformat dhe pajtimin në këtë pjesë të Evropës.

Çka me Maqedoninë e Veriut?
Askush nuk mund të na ndihmojë nga jashtë nëse vet ne nuk duam ta ndihmojmë vetveten nga brenda. Me një eksod të tillë të të rinjve, për tre dekada vetëm monumentet dhe pensionistët do të mbeten si banorë të vetëm në këtë shtet. Me këso shpërngulje masive, rrënohet shtylla kryesore për çfarëdo zhvillimi të mundshëm. Duhet bërë shumëçka ndryshime nga kjo që për dekada bëjmë. Shtëpi të mëdha të zbrazura të njerëzve tanë që efektivisht jetojnë jashtë. Askush nuk i mësoi se ato janë para të hedhura në erë për mburrje, në vend të ndonjë investimi produktiv. Askush nuk u tha atyre se jeta jetohet në lëkurën tënde, e jo në sytë e tjerëve. Nuk është keq të shkojmë për një kurs te tajvanezët për të zbuluar se si është e mundur që një vend me një territor pak më të madh se Maqedonia e Veriut, të përballojë rreth 25 milion banorë me PBB për frymë, pesë herë më të lartë se i yni. A 30 vjet më parë ishim në të njëjtin nivel! Ata janë në gjendje të na mësojnë se si të zhvillojmë bujqësi moderne, turizëm malor, si të përdorim ujërat termale etj. Bullgaria mund vetëm të na sjellë ujë për kushtet natyrore për ski-qendra që kemi. Por falë organizimit të mirë është bërë një Mekë ballkanike për vizitorë.
Ekspertët kinezë për investime thonë se me përdorimin e mençur të burimeve natyrore që kemi dhe me punën profesionale, mund të përballojmë deri në 20 milion banorë me një standard pesë herë më të lartë se ky aktual. Por kjo nuk shkon me struktura të deformuara partiake në institucionet kryesore, të cilat shpesh nuk kanë as njohuri elementare për këso angazhimesh, apo nuk kanë as një fytyrë, ose i kanë më shumë se dy. Mjafton të kemi projekte ideore për potencialet dhe burimet ekzistuese që mund t’ua ofrojmë investitorëve magnat të huaj, që kështu të fillohet me një cikël serioz zhvillimor. Gjendja do bëhet më normale me Bajden nëse vetë bëhemi më normalë. Është gabim i madh të insistohet që e kaluara të jetë më e mirë se sa që ka qenë, kurse e tashmja më e keqe se sa që është. Historia dhe e kaluara sikur vret këtë shtet. A askujt s’i ka shkuar për dore të jetojë në të kaluarën. Duhet ndjekur logjikën e mençur për yjet e detit.