Baca Beqë, i cili nuk njohu dorëzim!

Shkruan: Adnan Azizi

Porosi e Beqës, për bashkëveprimtarët e kohës ishte:

“Dasma pa mish nuk bëhet dhe luftë pa sakrificë deri në vetëflijim nuk ka. Unë do jem i pari që do të vetflijohem në dasmën e lirisë.”

Në vitin 1998 kulla e Beqir Limanit ishte në shtetrrethim nga makineria policoro-ushtarake sllave, të cilët pretendonin që me çdo kusht të zinin të gjallë bacin Beqë, për të zbuluar dhe dekonspiruar thesarin e gjithë veprimtarisë që po i paraprinte luftës së lavdishme të UÇK-së në Kosovë, Iliridë dhe Luginë. Me çdo kusht ngase e dinin që Ai ishte në krye të aksioneve dhe udhëheqës i guerilës së Zonës Operative Nr. II.
I tillë ishte ai, mu ashtu siç thoshte, vdekje po, por dorëzim jo !
Pranoi luftën deri në flijim, për t’u bërë kushtrim i të gjitha gjeneratave.
Ai nuk u dorëzua para thirrjeve të forcave policore edhe përkrah paralajmërimeve të tyre, se i kishin rrëmbyer djalin, duke e kushtëzuar në këtë mënyrë që të dorëzohej.
Nuk ia dolën të pushtonin shpirtin e zjarrtë të Beqir Limanit, për çlirimin dhe lirinë e vatanit dhe kombit.

Beqir Limani më 18 shtator të vitit 1998 u vra në mënyrë tinzare në kullën e Tij, duke mos pranuar dorëzimin dhe njëkohësisht me aktin e flijimit përçoi porosi te masa e gjerë popullore që liria është më e shtrenjtë dhe më e çmuar edhe se jeta !

Historia dhe veprimtaria e Bacës Beqë, do të shkruhet nga kronikanët e kohës, për t’u lënë gjurmë gjeneratave pasuese mbi vlerën e lirisë që gëzojnë.
Pas vetes ka lënë trashëgimtar që me modesti dhe krenari e trasojnë rrugën e Tij, duke i qëndruar besnik idealit, për të cilin u flijuan gjenerata të tëra.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i Beqir Limanit dhe mirënjohje çdo anëtari të Familjes që frymojnë e veprojnë në rrugën e idealit të të rënëve për liri.