Babai i Kryeminstrit Abazoviq duke kënduar këngë shqipe në kohën e Jugosllavisë

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq është bërë njeriu më i përfolur ditëve të fundit. Shqiptari 36 vjeçar ka arritur që ta krijojë shumicën në Kuvendin e Malit të Zi dhe ta marr në dorë udhëheqjen e shtetit.

Për jetën e tij private dhe familjen e tij nuk dihet shumë, megjithatë, vetë ai në vitin 2020 kishte shpërndarë një video të babait të tij, që daton nga viti i largët 1989, duke kënduar këngë shqipe, mes shumë miqve dhe të afërmve të tij, shkruan Gazeta Express.

Bëhet fjalë për 4 marsin e atij viti, kur Jugosllavia po shkonte drejt fundit të saj dhe po zhytej në luftëra të përgjakshme.

Në video dëgjohet babai i kryeministrit duke kënduar këngë të vjetra qytetare, por edhe këngë patriotike shqipe.

“Boemat e Ulqinit… Inçizimi isht ba në gëzimin familjar ke legjenda Skender Lazoja! Ky është Ulqini jonë”, kishte shkruar Abazoviq. /GazetaExpress/