Azizi: VLEN në anën e komandantëve të UÇK-së, Ali Ahmeti të mos bëjë politikë me fatin e tyre

Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka bërë të ditur se subjekti që përfaqëson do ta mbështesë Propozim-rezolutën për gjykim të drejtë ndaj komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton Zyrtare.

Në një reagim publik, Azizi thekson se, pavarësisht se sipas tij “dikush po bën politikë ditore me fatin e komandantëve”, VLEN do ta votojë rezolutën për të dëshmuar qëndrimin e vet në raport me çështjen.

Ai ka drejtuar kritika ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e akuzuar se në të kaluarën është mburrur për lobim në Kosovë në funksion të Gjykatës Speciale. Sipas Azizit, “asnjë rezolutë simbolike nuk e zhbën këtë që ka bërë ai”.

Deputeti i VLEN-it ka shtuar gjithashtu se ish-luftëtarët e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut janë lënë pas dore gjatë, siç thotë, 22 viteve të qeverisjes së Ahmetit, duke theksuar se shumë prej tyre janë detyruar të emigrojnë për arsye ekonomike.

“Mos bëni politikë me fatin e komandantëve, sepse shqiptarët ju njohin mirë. Liri për çlirimtarët!”, ka përfunduar Azizi në reagimin e tij.