Azizi: Funksionarët e Besës i japin llogari strukturave të Besës dhe shqiptarëve që na kanë votuar

Deputeti i VLEN-it Adnan Azizi, në një intervistë për Lajm TV, tha se mandatet dhe pozitat të secilit funksionar të VLEN-it burojnë nga votat e 107 mijë votuesve shqiptarë, prandaj funksionarët japin llogari para shqiptarëve.

“Edhe mandatet, edhe pozitat, edhe përgjegjësitë tona burojnë nga struktura, nga votuesit shqiptarë, nga mandati që na e kanë dhënë ato 107 mijë votues shqiptarë që e mbështetën VLEN-in në zgjedhjet parlamentare. Pikërisht nga ky verdikt, nga ajo që përfaqësojmë ne, aty duhet të kthehet edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia”, tha deputeti Azizi.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Mickoski, Azizi tha se nuk ka asnjë problem që kryeministri ta mbajë si ministër ndonjë emër që nuk ka përmbushur pritjet e VLEN-it dhe të shqiptarëve, por nga ai moment, ai funksionar nuk do ta përfaqësojë më VLEN-in.

“Pavarësisht nga ajo që thotë kryeministri, në rast se jepet një vlerësim se X drejtori apo X ministri nuk ka përmbushur detyrat që ia ka dhënë subjekti, kryeministri mund ta mbajë në ekipin e tij, mund ta ketë edhe ministër, por jo si përfaqësues të Lëvizjes Besa dhe VLEN-it. Në rast se rezulton që nuk ka mbrojtur interesat e shqiptarëve dhe subjektit që e ka deleguar, pa dyshim që do të shkarkohet dhe do të zëvendësohet”, tha Azizi.