Azizi: AKI po tkurret politikisht, populizmi nuk e mbulon humbjen e Badenterit

Deputeti Adnan Azizi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të koalicionit opozitar AKI, duke vlerësuar se ky subjekt po humb gjithnjë e më shumë peshën politike dhe po mbështetet në populizëm për të fshehur defaktorizimin e tij në Kuvend.
Sipas Azizit, AKI kishte qenë e gatshme ta votonte Ligjin për “Safe City”, nëse miratimi i tij do të varej nga votat e opozitës, gjë që, siç tha ai, është dëshmuar edhe nga deklaratat e deputetëve të BDI-së dhe qëndrimi i Ali Ahmetit pas takimit të liderëve.
“Por sot ndodhi e kundërta. AKI e humbi edhe Badenterin dhe u pa qartë se nuk ka më peshë politike as në numra në Kuvend, njësoj siç e humbi peshën elektorale në zgjedhjet lokale”, ka shkruar Azizi.
Ai thekson se Avokati i Popullit u votua me Badenter pa votat e AKI-së, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë të tkurrjes politike të opozitës.
Azizi shton se për të mbuluar humbjen e Badenterit, AKI ka ndryshuar qëndrim ndaj ligjit për “Safe City”, duke u përpjekur, sipas tij, “në momentin e fundit të kapet pas populizmit”.
Në fund, deputeti Azizi vlerëson se Ligji për “Safe City” ka për qëllim mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e aksidenteve dhe vdekjeve tragjike në rrugë, duke shtuar se këtë e di edhe vetë AKI-ja, e cila, sipas tij, deri sot kishte të njëjtin qëndrim.