Gjithçka nisi kur u lexuan parashtresat e Prokurorisë, e cila pretendon që të dorëzojë dosjen paraprake kah muaji tetor i këtij viti, shkruan lajmi.net.
E kjo shkaktoi irritimin e avokatit Prosper.
“Kam mbetur pa gojë. Prokuroria thotë që të kemi durim dhe se ka shumë punë për të bërë. Unë nuk e di se ç’tjetër mund të bëjnë këta. Atëherë pse jemi këtu nëse ata nuk janë gati. Të akuzuarit kanë të drejtë të dijnë se përse akuzohen, dhe ata nuk e dijnë. ZPS thotë se do të bëjnë hetime në një të ardhme të parashikueshme, atëherë cila është kjo e ardhme e parashikueshme. Ju e keni parë se si ata i ndryshojnë datat”, tha Prosper.
Tutja ai tha se çështja është serioze sepse bëhet fjalë për njerëz që janë privuar nga liria, dhe po vazhdohen të mbahen pafundësisht aty.
“Bëhet fjalë për njerëz që janë privuar nga prezumimi i pafajësisë dhe Prokuroria thotë se është një punë e madhe e të gjithë zyrës. Në paraburgim, larg familjes dhe nuk e dijnë thellësinë e akuzave ndaj tyre për shkak të Prokurorisë. Atëherë duhet t’i kthehemi çështjes për lirimin e përkohshëm. Më falni për pasionin, por kjo shkelë çdo norma të të drejtave të njeriut, dhe krijon një ide negative për këtë institucion. Duke lejuar që të ndodhë kjo, do ta njollosni këtë”, tha ai.