Shkruan: Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Juristi shqiptar nga Tetova z. Faton Selami do të jetë Avokati i ri i Popullit me mandat tetëvjeçar i zgjedhur sot në seancën e 65-të të Kuvendit me 89 vota “pro”, 6-të kundër, ndërsa nga deputetët që i përkasin komuniteteve joshumicë, 28-të votuan “pro” dhe 8-të “kundër”, duke siguruar kështu edhe shumicën e nevojshme të badenterit.
Kualifikimet formale flasin se, z. Selami është jurist i diplomuar në USHT, me provime të dhëna të jurisprudencës, të noterit dhe të përkthyesit gjyqësor në shqip, maqedonisht dhe anglisht, ndërkaq, studimet e magjistraturës i ka përfunduar në UEJL në v. 2013, ku qysh si student i magjistraturës dallohej për nga interesimi i tij shkencor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për çka flet edhe teza e tij e magjistraturës e cila ka për objekt studimi mbrojtjen juridike të të drejtave të konsumatorëve në Maqedoni.
Karriera e Avokatit të ri të Popullit është pothuajse e tëra në punë juridike në institucione të ndryshme shtetërore: Agjencia e Informacionit, Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionin Publik, Zyra e Avokatit të Popullit në Shkup, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, etj., dhe ajo që është më me rëndësi pa asnjë akuzë specifike mediale për afera personale korruptive.
Institucioni i Avokatit të Popullit nga korriku i vitit të kaluar kur edhe u pensionua ish-Avokati i Popullit z.Ziberi, ishte para kolapsit sepse shkaku i lojërave politike me shumicën e badenterit, punonjësit e këtij institucioni raportuan se, nuk ishin të paguara katër qira për zyrat ku ndodhet selia e këtij institucioni, një mori faturash të papaguara të EVN-së me rrezik për ndërprerje të energjisë elektrike, fatura të papaguara të ujit dhe internetit, rrezikimi i pagave të punonjësve po të mos ishte zgjedhur gjatë këtij muaji, ndërkaq, nga nëntë zëvendës vetëm dy prej tyre mbetën aktivë për shkak të mandateve të skaduara dhe daljeve në pension të shtatë zëvendësve të Avokatit të Popullit, prandaj, sfida e parë e z. Selami do të jetë e natyrës menaxheriale për të stabilizuar këtë institucion kushtetues dhe për të rikthyer besimin e publikut.
A do të arrijë Avokati i ri i Popullit të përballet me sukses me sfidat kryesore sistemike të këtij institucioni gjatë periudhës 27-të vjeçare të ekzistencës së tij, siç janë: moszbatimi i duhur i rekomandimeve të tij, mungesa e personelit dhe e fondeve, pavarësia nga ndërhyrjet politike, mbipopullimi dhe kushtet çnjerëzore në burgje, diskriminimi, korrupsioni sistemik, akreditimi i plotë ndërkombëtar i këtij institucioni, etj., do të varet jo vetëm nga adresimi i duhur i ankesave të qytetarëve por edhe nga fuqizimi i hetimeve proaktive për shkaqet kryesore të cenimit të të drejtave të njeriut në Maqedoni, për çka edhe karriera e z. Selami deri më sot edhe kualifikimet e tij formale japin shpresë të re për qytetarët se të drejtat e njeriut do të jenë vlerë supreme kushtetuese e jo imitime sipërfaqësore dhe se nuk do ta mbrojë shtetin nga qytetarët e mërzitshëm por do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve që u janë shkelur nga organet e shtetit.
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)



