Avokati i Popullit heton pretendimet për dhunë ndaj të burgosurve

Dje, në orët e para të mëngjesit, në Burgun e Shkupit, pjesëtarë të policisë të maskuar kanë hyrë me forcë në dhomat e të burgosurve . Sipas dëshmive të të burgosurve, gjatë ndërhyrjes ndaj disa prej tyre u ushtrua dhunë fizike, e cila vazhdoi edhe pasi atyre iu vunë prangat.

“Në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar dhe të armatosur hynë me forcë në dhomat e Burgut të Shkupit, duke na urdhëruar me britma të shtriheshim përtokë”, tha një i burgosur.

 “Teksa isha në gjumë, persona të maskuar hynë në dhomë, më vunë prangat dhe vazhduan të ushtrojnë dhunë fizike ndaj meje”, tha një i burgosur tjetër.

Të maskuarit kanë qenë nga Njësia Policore për Intervenime në Burgje. Avokati i Popullit ka nisur procedurën për shqyrtimin e rastit pas informacioneve se gjatë kontrollit janë lënduar disa të burgosur.

“Avokati i Popullit, pas informacioneve të marra se gjatë një kontrolli të kryer nga Njësia Policore për Intervenime në Burgje, e cila është nën kompetencën e drejtpërdrejtë të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, në Burgun e Shkupit janë lënduar disa persona, sot dërgoi një ekip nga Mekanizmi për Kontroll Civil me qëllim që të kryejë inspektim dhe të mbledhë provat e nevojshme për të përcaktuar nëse në këtë rast ka pasur përdorim të tepruar të forcës”, reagoi Avokati i Popullit në Facebook.

Avokati i Popullit theksoi se, pas konstatimit të gjendjes faktike dhe analizimit të të gjitha rrethanave, opinioni publik do të informohet për gjetjet e inspektimit./Alsat.mk.