Avokati i Bekteshit dhe Maksutit kërkon tërheqjen e akuzës për rastin “Puls”

​Mbrojtësi i ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, zyrtarit Zoran Nikollovski dhe ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, ka dorëzuar iniciativë për rishikimin e aktakuzës për rastin “Puls”, me kërkesën që ata të lirohen nga akuza për shkak të, siç deklarojnë, mungesës së fajësisë.

​Avokati Elenko Millanov i ka kërkuar ushtrueses së detyrës prokurore, Anita Topallova-Isajllovska, që të thërrasë kolegjium në kuadër të Prokurorisë dhe të shqyrtojë aktakuzën e dorëzuar, pas së cilës do të merret vendim që këta të akuzuar të lirohen së bashku me të gjithë ata që nuk kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë ose autorizim natën kobshme.

“Iniciativa është për zbatim të barabartë të ligjeve, gjithashtu edhe në përputhje me parimin e ekonomizimit të procedurës në mënyrë që ajo të përfundojë në mënyrë efektive në lidhje me personat për të cilët eventualisht mund të ketë lidhje shkak-pasojë me vetë ngjarjen juridiko-penale, duke shmangur përfshirjen e madhe të personave për të cilët një lidhje e tillë shkak-pasojë me ngjarjen nuk ekziston, njëkohësisht me mungesën e veprimeve të kryerjes ose mosveprimit lidhur me veprën”, thuhet në shkresën e publikuar nga TV24.

​Kërkesa është dorëzuar pas aktakuzës dhe propozim-akuzës së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Aty po zhvillohen procedura të ndara varësisht nga veprat e kryera nga policët. Ndër të tjera, ndiqen edhe policë të cilët kanë dorëzuar të dhëna të rreme për plotësimin e kushteve në Ministrinë e Ekonomisë.

​Të akuzuarit përmes avokatit kërkojnë që të përgjigjen vetëm ata që kanë pasur veprime të drejtpërdrejta ose autorizime në kohën e zjarrit, e jo të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar që “Puls” të punojë pa probleme.