Avokati Dauti: Gjykata na mohon të drejtat për të përdorur gjuhën shqipe

Avokati, Merxhan Dauti ka kërkuar sërish sot përkthim në gjuhën shqipe të lëndës për rastin “TNT”, pasi vlerëson se ligji mundëson një gjë të tillë. Ai në një letër drejtuar mediave, ka thënë se, që nga dita e parë kur është angazhuar si mbrojtës i të akuzuares në rastin TNT, Elisaveta Najdovska nga Shkupi, ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup, që t’i jepet mundësia të përkthen nga gjuha maqedone në gjuhën shqipe të gjitha dokumentet dhe provat, por ajo nuk është lejuar deri më tani. Dauti thotë se, Gjykata Themelore Penale Shkup, duke mos dhënë proçesverbale dhe duke zhvilluar seanca dëgjimore çdo ditë për çështjen “TNT”, e pengon përgatitjen dhe sigurimin e mbrojtjes së përshtatshme dhe profesionale.

Merxhan Dauti

“Sidoqoftë, duhet të theksoj se mënyra e deri tanishme e kryerjes së seancave gjyqësore kufizon të drejtën time për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhë amtare në përdorimin zyrtar në procedurat gjyqësore, e cila është në kundërshtim me Amandametin V të Kushtetutës së RMV dhe nenin 9 të Ligjit për përdorim e gjuhëve, që kanë efektin e rrezikimit të së drejtës së mbrojtjes (të mbrojtur me nenin 6 paragrafi 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut) dhe në thelb të shkeljes së dispozitave të procedurës penale”.

Më tej në letër shkruhet se, përkundër paraqitjeve me shkrim të Dautit, drejtuar gjykatës kompetente, gjykatësi Stavrev, sipas tij, me vetëdije iu shmanget vendimeve të tij për mos zbatimin e kësaj të drejte të regjistrohen në procesverbalet e seancave dëgjimore dhe kjo e pengon që të deponojë ankesë dhe të ndërmarrë veprime të tjera juridike.

Merxhan Dauti

“Mos-sigurimi i përkthimit të të gjitha dokumenteve dhe materialeve të nevojshme, ose mosdhënia e një përkthimi të njëkohshëm gjatë gjithë rrjedhës së procedurës, përbën një shkelje thelbësore të procedurës. Në rast mosrrespektimi të dispozitave të këtij ligji me dispozitat gjuhësore të një ligji tjetër, autoritetet janë të detyruara të zbatojnë nenin 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Gjykata Themelore Penale Shkup, para së gjithash duhet të sigurojë kushte për mbajtjen e seancës gjyqësore, duke filluar me procesverbalin e vetë seancës dëgjimore, pasi është e nevojshme të jepet një kopje e procesverbalit në përfundim të seancës, e cila nuk është dhënë asnjëherë, aq më pak të na jepen, sepse ata nuk janë të gatshëm të shtypin proçesverbalet për të gjithë palën mbrojtëse dhe të prokurorisë”.

Avokati Dauti ka dërguar më herët kërkesë që e gjithë lënda për rastin “TNT” të përkthehet në gjuhën shqipe. Gjykatësi Ognen Stavrev ka njoftuar për këtë Odën e Avokatëve me kërkesë për procedurë diciplinore, pasi sipas tij, avokati ka dashur që vetëm ta zvarrit procesin.

Për lëndën “TNT” i dyshuari i parë është ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili dyshohet se ka urdhëruar që me mjet shpërthyes të rrëzohet kompleksi “Kosmos” në pronësi të Fiat Canovskit, pasi në vitin 2011 ai e ka ndërprerë koalicionin me VMRO-DPMNE-në./SHENJA/