Avioni i vogël rrëzohet në një zonë banimi në Florida, raportohet për viktima

Një avion i vogël u rrëzua të enjten në Clearwater, Florida, në juglindje të SHBA, duke shkaktuar disa viktima, njoftuan autoritetet lokale. Përplasja ndodhi në orën 19:00 të pasdites së djeshme me orën lokale.

Zjarrfikësit nxituan në komunitetin Bayside Waters, ku banorët jetojnë në shtëpi të lëvizshme dhe arritën të shuanin zjarrin e shkaktuar nga rrëzimi i avionit. Të paktën tre karvanë u përfshinë nga flakët.

“Unë mund të konfirmoj se ka disa viktima, si në aeroplan ashtu edhe në kamping”, tha Scott Ehlers, kreu i departamentit lokal të zjarrfikësve, gjatë një konference për shtyp, pa dhënë detaje mbi numrin e viktimave.

Nuk dihet ende sesa persona ndodheshin në avionin e vogël. Avioni me një motor, u rrëzua në zonën e banimit pasi piloti raportoi një problem me motorin, tha një zëdhënës i Administratës Federale të Aviacionit.